fbpx

Lot, frikë/ 10 vjeçari u gjet në prehrin e nënës, 7 vjeçari ende ‘i zhdukur’, i lëshoi dorën mamasë kur ra tërmeti…

ne-preher.jpg

Një skenë tmerri ishte aso që pamë dje, ajo e një të vogli që i përlotur dilte nga rrënojat, teksa nën to, gjyshja e tij që e kishte mbajtur në prehrin e saj, kishte ndërruar jetë. Lot, frikë, tmerre që vështirë të përshkruhen me fjalë se ç’mund të ketë kaluar një fëmijë krah gjyshes që nuk i është përgjigjur dot thirrjeve të tij. Djali është anëtari më i vogël i familjes Vata. Nëna e tij, Ela Vata shpëtoi duke dalë gjallë nga ky tërmet i tmerrshëm. Por kjo familje, e cila humbi gjyshen, Hajrie Vata, 62-vjeçare, po përjeton dhimbje të madhe, pasi nuk ka asnjë gjurmë të djalit 7-vjeçar. Rolejt Vata, është një nga të mbeturit nën rrënoja në Thumanë.

E gjitha familja, Ela Vata, dy djemtë e saj dhe gjyshja kanë qenë në katin e katërt, dhe sapo kanë ndjerë lëkundjet e para kanë mundur të zbresin deri në katin e parë. Por në këtë përpjekje për t’i shpëtuar tërmetit, kanë humbur nga sytë djalin 7-vjeçar i cili ka shpëtuar dorën nga nëna e tij, Ela. Vëllai i Rolejtit u nxorr i gjallë në prehrin e gjyshes së pajetë. Ela Vata dhe djali i saj i shpëtuar po marrin ndihmë mjekësore, ndërsa të pakta janë mundësitë që Rolejti i vogël të jetë gjallë nën rrënoja. I ati i tij, Servet Vata punon në Greqi dhe është kthyer në atdhe pas tragjedisë që preku familjen e tij. Ka pasur fatin e mirë të mos jetë në banesë, bashkëshorti i Hajrie Vatës, Femi Vata, i cili ishte në punë roje në një ambient privat në autostradë. Ndërkohë djali tjetër i tyre, për fat, atë ditë kishte shkuar në Lushnje, tek e motra.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303