LSI: E enjtja, shansi i fundit i mazhorancës

seanca-plenare.jpg

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, ka dalë në një deklaratë për mediat në emër të LSI dhe i ka bërë edhe një herë thirrje kryeministrit Edi Rama të lërë retorikën dhe të marrë përgjegjësitë duke plotësuar 8 kërkesat jetike të studentëve.

Mehmetaj tha se dy javë pas nisjes së protestës së studentëve ata kanë fituar mbështetjen e qytetarëve shqiptarë dhe së fundmi edhe të partnerëve ndërkombëtar, ç’ka konfirmon se e drejta është me ta.

“Përballë shfaqjeve të inskenuara të Kryeministrit me lista të detyruara pjesëmarrësish në auditorët e rrënuara të Universiteteve ishin sot studentët e revoltuar në ditën e 15 të protestës së tyre.

Përtej sforcimit të madh për të krijuar në sytë qytetarëve fasadën e radhës të dialogut, e vërteta iu tha në sy nga studentë e profesorë se gjendja e arsimit në Shqipëri është në ditën e saj më të keqe”, tha deputetja e LSI.

Ajo u shpreh se të enjten në seancën parlamentare, mazhoranca ka shansin e fundit tu tregojë studentëve se realisht do t’i dëgjojë ata. “Nëse aksioni nuk ndërmerret për të rritur buxhetin, çdo shfaqje tjetër është e kotë, çdo shfaqje tjetër do të shoqërohet vetëm me reagim dhe revolt studentore”, përfundoi deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj. /Rea-News.tv/

scroll to top