fbpx

Lubonja: OFL, përgjimet, betimi te noteri … lajthitje të rrezikshme të Ramës!

Analisti Fatos Lubonja i cilësoi të rrezikshme nismat e qeverisë për të përgjuar edhe në ambientet publike personat e dyshuar si të lidhur me krimin apo për t’iu dhënë të drejtën anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të betohen edhe te noteri, siç ishte rasti i Arta Vorpsit.


Në një lidhje me “Skype”, në rubrikën “Opinion”, në News24, Lubonja tha se të gjitha këto janë një tentativë e kryeministrit Edi Rama për të kapur të gjitha pushtetet.

“Të gjitha këto janë lajthitje të rrezikshme. Mendoj se sa më e vështirë që ti bëhet Ramës vjedhja, plaçkitja, aq më shumë do forcohen këto instrumente për t’u mbrojtur nga e vërteta dhe drejtësia”, tha Lubonja.

Intervista:
Nisma e qeverisë për përgjimet në publik të personave të dyshuar … Si i shihni?
Lubonja: Avancim drejt një shteti policor, sepse është një nga parimet kryesore të ndarjes së pushteteve dhe të të drejtave të njeriut dhe respektimit të pafajësisë, që të paktën kur bëhen përgjime që ka dyshime, këto përgjime apo dyshime, ideja për përgjim shkon dhe aprovohet nga një organ që është më i pavarur, siç është Prokuroria, Gjykata. Në këtë kuptim, kontrollimi i të gjitha institucioneve është i qartë, sepse kjo duhet parë edhe jashtë akteve të tjera që po bën Rama dhe qeveria e tij. Po mënjanon presidentin dhe i çon anëtarët e Kushtetuese të betohen te noteri. Edhe kjo do të thotë një kapje e Gjykatës Kushtetuese, sepse aty është qëllimi, të pengohet presidenti të pranojë ose jo disa gjyqtarë. Edhe kur drejtësia nuk na jep garanci, bëjmë OFL që të bëjmë ç’të duam. Të gjitha këto janë lajthitje të rrezikshme. Mendoj se sa më e vështirë që ti bëhet Ramës vjedhja, plaçkitja, aq më shumë do forcohen këto instrumente për t’u mbrojtur nga e vërteta dhe drejtësia.

Ky rrezik që shikoni, nga kush po shihet tjetër?
Kush ka, sy e shikon. Budallenj nuk janë shqiptarët. Por, nëse nënkuptoni ndërkombëtarët, ata kanë të tjera prioritete se sa të drejtat e njeriut dhe ndërtimi i demokracisë në Shqipëri. Nuk besoj se ata duhen marrë shumë në konsideratë. Kur plas e keqja, ata mbyllin sytë dhe shohin interesat e tyre.

Si i keni parë daljet e OFL, flitet më shumë për një show…

Në rastin më të mirë është show. Them në rastin më të mirë, sepse show mbaron dhe del një shfaqje tjetër e kryeministrit. Show edhe pse duhet që të bëhet një figurë sikur po luftohet krimi që të hapen negociatat në mars. Kjo është në rastin më të mirë. Por, unë edhe ndërtimin e këtij organizimi, s’di si ta quaj’, që është një pushtet paralel me atë të drejtësisë, e shoh si një mundësi për të kontrolluar të gjithë pushtetet. Pra, përtej show, duhet parë dhe rreziku.

PD çon përpara punën në tryezën për Reformën Zgjedhore, jeni optimist se mund të kemi produkt nga kjo tryezë?
Duket një procedurë nga ana e PD, që s’ka të bëjë fare me thelbin e të keqes, të rrezikut që ne po jetojmë. Nuk kam besim se këto tryeza mund të japin ndonjë zgjidhje kësaj situate, në një kohë kur po shohim që po ndërtohen këto organizma, po eliminohet presidenti, po eliminohet ajo drejtësia e pavarur, ai Vettingu, është një gjë jashtë realitetit. Realiteti është shumë herë më i keq dhe i rrezikshëm, se sa ai moment kur PD për herë të parë vendosi të lërë parlamentin.

Mund të realizohet një qeveri kujdestare?
Më duket një gjë absurde, ineficente, për arsye se problemi është nëse do bëhet me ligj apo për këtë situatë. Opozita ka folur për një qeveri teknike, që duhet të pastrojë lidhjet e qeverisë me krimin. Por të pretendosh që do pastrosh qeverinë për tre muaj, unë nuk e di. Nëse kemi mundësinë të gjejmë këta njerëz që mund të na pastrojnë politikën nga krimi për tre muaj, s’e di, më duket si manovër për të krijuar një iluzion te PD.

Flasim pak për Kosovën, presioni për heqjen e taksës po rritet, si e shikoni këtë moment?
E shikoj në kuadrin e asaj që thashë, që shpesh ka ndodhur që interesat e të huajve, edhe të amerikanëve, të mos jenë në përputhje me interesat tona, në këtë rast të Kosovës. Rasti kur amerikanët donin të na sillni armët këtu, që ishte kundër interesit tonë, por na bënë presion deri në fund që të silleshin dhe reaguan njerëzit. Gjithmonë ka mbizotëruar interesi i tyre. Edhe në rastin e Kosovës ata kanë një interes gjeopolitik.

Në rastin më të keq, mund të imagjinojmë që lobimi serb në Amerikë është më i fortë se ai shqiptar. Bëhet një presion, që është në interes të Amerikës, ndërkohë që interesi ynë kryesor është që qeveria e Kurtit të luftojë atje për çlirimin e shtetit të kapur dhe jo përqendrimi i të gjitha energjive te zgjidhja e konfliktit me Serbinë, që do të ishte i vështirë. Politika shqiptare nuk dihet si do të sillet, por uroj që Albin Kurti të jetë nga të parët politikanë shqiptarë që të paktën të qëndrojë me dinjitet në vizionin e tij, të partisë së tij.

Historia na tregon se jo gjithmonë interesat e të mëdhenjve që na mbështesin apo na sjellin në pushtet janë në përputhje me interesat tona. mjafton t’iu kujtoj se pa marrëveshjen e Jaltës, Shqipëria nuk do të ishte në kampin Lindor, por mund të ishte në kampin Perëndimor, por komunistët tanë ishin stalinistë dhe neve na u instalua një diktaturë këtu. Tani ne kemi një interes që të jemi në NATO, në BE, por jo që të jemi pa asnjë fuqi pavarësie, pa autonomi, por për çdo gjë të na diktojë Amerika. Kurt opozitën e ka bërë shumë të fortë lidhur me çështjen e Serbisë, se sa brenda vendit. Por e ka pas si komponente edhe denoncimin e kastës në pushtet. Raporti me Serbinë duhet zgjidhur, por pa u bërë kaq shumë prioritet.