Lufta në Ukrainë do të tejzgjatet, Zelenskyy:Mund të përfundojë vetëm me diplomaci

640-0-81f5f04b4a04b34393fa6b150b3beb32.jpg

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se lufta në vendin e tij mund të përfundojë vetëm me diplomaci, edhe pse negociatat me shtetin rus ka javë që janë pezulluar. Pas më shumë se 100 ditësh luftë, Zelensky ka thënë se ushtria e tij nuk do të dorëzohet.

“E kemi mbrojtur Ukrainën për 100 ditë tashmë. Fitorja do të jetë e jona”, ka thënë ai.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në shkallë të gjerë, më 24 shkurt. Zelensky ka thënë se, deri më tash, forcat ruse kanë arritur të marrin nën kontroll “rreth 20 për qind” të territorit ukrainas.

Përpara 24 shkurtit, ato kanë kontrolluar Gadishullin e Krimesë, të aneksuar në vitin 2014, dhe rreth një të tretën e rajonit lindor të Donbasit. Muajve të fundit kanë avancuar në lindje dhe jug të Ukrainës, sidomos përgjatë vijës bregdetare të Detit të Zi dhe Detit Azov.

Armët nga Perëndimi e kanë ndihmuar Ukrainën t’i zmbrapsë forcat ruse në disa fronte. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se administrata e tij do të dërgojë edhe raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, për t’i përforcuar edhe më shumë luftëtarët atje – por jo raketa me gamë që mund të arrijë territorin rus.

Në një shkrim për gazetën amerikane, New York Times, Biden ka thënë se NATO-ja nuk do luftë me Rusinë.

“Ne nuk e inkurajojmë dhe nuk i mundësojmë Ukrainës të godasë përtej kufijve të saj. Ne nuk duam ta zgjasim luftën vetëm për t’i shkaktuar dhimbje Rusisë”, ka shkruar Biden.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se ushtria e tij do të godasë edhe më fuqishëm, nëse Ukraina furnizohet me raketa me rreze të gjata veprimi. Ai ka thënë se do të goditen caqe të reja, por nuk ka specifikuar më shumë.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303