Lufta tregtare SHBA-Kinë, nisin bisedimet e nivelit të lartë

Negociatorët e lartë amerikanë dhe kinezë u takuan për herë të parë që nga fundi i korrikut për të provuar të gjejnë një mënyrë për të dalë nga një luftë tregtare 15-mujore.

Sekretari i Thesarit amerikan, Steven Mnuchin, dhe Përfaqësuesi i Tregtisë amerikane, Robert Lighthizer, përshëndetën Zëvendës Kryeministrin kinez Liu He para një takimi në të cilin ata do të kërkojnë të ngushtojnë dallimet për të shmangur përshkallëzimin e tarifave që kanë ndikuar edhe në tregjet financiare dhe shkaktuan frikën e një recesioni global.

Situata mes dy vendeve u tensionua këtë javë kur qeveria amerikane renditi në listën e zezë 28 kompani kineze dhe vendosi kufizime të vizave për zyrtarët kinezë për akuzat e abuzimit të pakicave muslimane në Kinë.

Pekini, nga ana tjetër, po planifikon të forcojë kufizimet e vizave për shtetasit e SHBA me lidhje me grupet anti-Kinë, thanë burimet.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar të rrisë tarifat mbi 250 miliardë dollarë të mallrave kineze në 15 tetor nëse nuk arrihet ndonjë përparim në negociatat.

Kjo do t’i bënte gati të gjitha importet e mallrave kinezë në Shtetet e Bashkuara – më shumë se 500 miliardë dollarë – t’i nënshtrohen tarifave.

“Ditë e madhe e negociatave me Kinën”, tha Trump në Twitter. “Ata duan të bëjnë një marrëveshje, por unë?” Ai shtoi se ai do të takohej me zëvendës kryeministrin kinez në Shtëpinë e Bardhë të premten./real-news.tv/