Lufta tregtare SHBA-Kinë, presidenti kinez i përgjigjet Trump

Presidenti kinez, Xi Jinping ka bërë thirrje për përafrim të shteteve dhe ka cilësuar “budallallëk” supremacinë raciste, në kohën kur janë rritur tensionet tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Këto janë deklaratat e para publike të presidentit kinez, që kur është përshkallëzuar konflikti tregtar mes SHBA-së dhe Kinës, me rritjen e tarifave nga të dyja palët.

Presidenti kinez nuk ka përmendur SHBA-në, apo luftën tregtare në mënyrë të drejtpërdrejtë, mirëpo është fokusuar në prezantimin e Kinës si shtet “i hapur”.

Ai ka thënë se qytetërimet e ndryshme nuk janë krijuar për t’u përplasur.

“Të menduarit se një racë apo kulturë e dikujt janë superiore dhe insistimi në transformimin apo zëvendësimin e qytetërimeve tjera është budallallëk dhe praktikë shkatërruese”, ka thënë ai në një konferencë në Pekin.

“Nuk ka përplasje në mes të qytetërimeve të ndryshme, vetëm na duhet që të kemi sy për të vlerësuar bukurinë e të gjithë qytetërimeve”, ka thënë ai.

Presidenti kinez ka shtuar se Kina vetëm do të jetë më e hapur ndaj botës në të ardhmen.

“Sot Kina nuk është vetëm Kina e Kinës. Është Kina e Azisë, dhe Kina e gjithë botës. Kina në të ardhmen do të jetë më e hapur ndaj botës”, ka thënë ai në forum.

Shtetet e Bashkuara kanë rritur tarifat për mallrat kineze në vlerë të 200 miliardë dollarëve, pasi zyrtarët amerikanë kanë akuzuar Kinën për mospërmbushje të zotimeve.

Kina në anën tjetër ka thënë se do të vendosë tarifa më të larta për mallrat amerikane në vlerë të 60 miliardë dollarëve nga muaji qershor.

Presidenti kinez, pritet të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump në samitin e 20 vendeve më të industrializuara në Japoni muajin e ardhshëm.

Trump ka thënë se SHBA-ja do të arrijë marrëveshje me Kinën “kur është koha e duhur”./real-news.tv/