fbpx

Lulzim Basha shpalos para mjekëve programin për shëndetësinë: PD s’bën premtime, vetëm angazhime

Lulzim-Basha-2.jpg

Kryedemokrati Lulzim Basha ka shpalosur sot para disa mjekëve planin për shëndetësinë. Në fjalën e tij, kreu i PD deklaroi se shëndetësi është sot më keq se para 8 viteve dhe kjo është arsyeja pse në përqasjen e tij ai nuk ka asnjë premtim.

Kreu i opozitës iu shpjegoi mjekëve shqiptarë disa nga pikat kryesore ku mbështetet programi për shëndetësinë.

“Nëse ka një fushë ku premtimet nuk u realizuan, kjo është fusha e shëndetësisë. U premtua shëndetësia falas dhe shëndetësia është sot më keq se para 8 vitesh. Kjo është një nga arsyet pse në përqasjen tonë ne nuk kemi asnjë premtim. Asnjë premtim të vetëm. Kemi vetëm angazhime të një plani i cili funksionon si i tërë. Asnjë prej angazhimeve nuk mund të qëndroj më vete. Dy janë shqetësimet kryesore dhe fushat kryesore ku ne japim zgjidhje imediate për normalizimin e krizës së thellë në shëndetësi. Njëra ka të bëjë me personelin shëndetësor dhe facilitetet shëndetësore dhe tjetra ka të bëjë sigurisht me atë që është në qendër të shëndetësisë me pacientin, me qytetarin që ka nevojë për shërbim”, – u shpreh Basha

Kandidati për kryeministër iu tha mjekëve dhe stafeve shëndetësore se plani i PD nuk është një plan premtimesh, por një plan angazhimesh.

“Duke e nisur nga qytetari, parimi i planit tonë konkret për shëndetësinë është: paraja ndjek pacientin. Dhe për këtë arsye, hapi i parë do të jetë finalizimi i projektit të kartës së pacientit me anë të cilit pacienti do t’i jepet liria të zgjedh vetë të gjitha hallkat ku duhet të drejtohet për të marrë shërbimin përkatës. Nga mjeku i familjes te specialisti, tek institucioni spitalor ku ka nevojë për kujdes. Parimi ‘paraja ndjek pacientin’ në vetvete i zbatuar me transparencë dhe sipas parashikimeve të reformave në planin tonë për shëndetësinë, faktikisht do bëjë të mundur diçka të thjeshtë që e kupton çdo shqiptarë. Ne në tërësi si shoqëri, harxhojmë më shumë para, nxjerrim më shumë para nga xhepi qoftë kjo si taksa, që pastaj dedikohen për shëndetësinë, qoftë si para në dorë, qoftë si para në sektorin privat këtu apo për udhëtime dhe kurime jashtë shtetit sesa çdo popull tjetër i Ballkanit. Dhe prapë kujdesi shëndetësor është në parametra më të ulët, që do të thotë që me reformën dhe me hapat që do të hedhim ne do ta kemi plotësisht të mundur që qytetarët shqiptarë të marrin shërbimin e duhur shëndetësor duke paguar më pak seç paguajnë sot. Hapi i parë ‘Paraja ndjek pacientin’ përmes kartës së pacientit”, tha kreu i PD.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303