Maduro: Trump ka urdhëruar vrasjen time

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro deklaroi se presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka urdhëruar vrasjen e tij.

“Nëse diçka ndodh me mua, atëherë përgjegjës do të jenë presidenti amerikan Trump dhe presidenti i Republikës së Kolumbisë, Ivan Duque”, tha Maduro në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve RIA.

Siç tha ai, autoritetet e SHBA-ve i kanë dhënë në dispozicion udhëheqësit të opozitës, njëherësh kryetar i Parlamentit, Juan Guaid pronën publike venezuelase. Ai shtoi se kjo pronë i përkiste popullit për të shtuar se nga kriza do të dalë si fitues.

I pyetur nëse i frikësohet një atentati, Maduro tha se është një i krishter që beson se Perëndia është sundimtari i fatit të çdo njeriu.

“Kemi një shërbim të mirë të inteligjencës, prandaj nuk ka asnjë dyshim se Trump ka lëshuar një urdhër për vrasjen time. Ai urdhëroi qeverinë dhe mafian në Kolumbi. Trump dhe Duque do të jenë përgjegjës nëse diçka më ndodh mua”, tha Maduro.

I pyetur rreth kërkesës së opozitës dhe pjesës më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare për zgjedhje të reja presidenciale në Venezuelë, Maduro tha se kishte fituar 68 për qind të votave vitin e kaluar dhe se nuk do t’u nënshtrohet presioneve të jashtme.

“Zgjedhjet presidenciale në Venezuelë janë mbajtur prandaj nëse imperialistët duan të reja, do të duhet të presin vitin 2025”, tha Maduro.

Ai u shpreh i gatshëm të takohet me homologun e tij amerikan Trump, por u shpreh i bindur se një takim i tillë nuk lejohet nga këshilltari i tij i Sigurisë Kombëtare, John Bolton.

“Jam i gatshëm të takohem me Trump-in në Venezuelë ose në SHBA për të diskutuar mbi të gjitha temat. Jam i bindur se ky takim do të sillte ndryshime të rëndësishme, por nuk mendoj se do ta lejojnë të takohet me mua. Do të presim me durim”, tha Maduro.

Ai tha se është i gatshëm për bisedime edhe me opozitën në vend, ne favor të së ardhmes së Venezuelës.

Presidenti i SHBA-ve Trump, është mbështetës i opozitës në Venezuelë dhe udhëheqësit të saj Juan Guaido, i cili më 23 janar u shpall president i përkohshëm i shtetit.

Përveç SHBA-ve ai gëzon mbështetjen edhe të shteteve siç janë Izraeli, Brazili, Argjentina, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Ekuador, Guatemala, Panamaja dhe Paraguaji.

Nga ana tjetër, Turqia, Irani, Rusia, Kina, Bolivia, Meksika, Kuba dhe disa vende tjera, ende njohin legjitimitetin dhe mbështesin qeverinë e presidentit të zgjedhur Nicolas Maduro./real-news.tv/