Manastirliu inspekton qendrën shëndetësore në Tiranë, jep detaje për situatën dhe ka një apel

manastirliu1-675x450.jpg

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka marrë pjesë sot në inspektimin e qendrës shëndetësore nr. 10 në kryeqytet.  Duke folur për përballimin e situatës së COVID-19 ajo tha se mjekët e familjes po ndjekin pacientët e prekur.

“Është një punë e madhe që po bëhet nga mjekët e familjes. Janë më shumë se 1600 mjekë të angazhuar në gjithë territorin e Shqipërisë. Në Tiranë, ku është dhe numri më i madh i të prekurve aktivë, mjekët e familjes po luajnë një rol kyç, për ndjekjen e ecurisë në rastet e pacientëve të prekur nga Covid19, të cilët janë duke u trajtuar në banesë. Më shumë se 1 mijë pacientë, janë duke u trajtuar dhe duke u ndjekur nga mjeku i familjes”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit në qendrën shëndetësore nr.10, Ministrja e Shëndetësisë tha se ndjekja e pacientëve po kryhet sipas protokolleve të përcaktuara

“Në të gjithë Shqipërinë janë mbi 2500 raste aktive. Rreth gjysma e tyre janë me simptoma, pra janë duke u ndjekur nga strukturat tona të kujdesit parësor, sipas protokolleve të përcaktuara për qytetarët që ndiqen në mënyrë ambulatore dhe për ata që kanë nevojë të hospitalizohen atëherë lidhen direkt me 127 për të garantuar ndjekje të mëtejshme në kushte spitalore”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë theksoi se mjeku i familjes e ka në kohe reale informacionin për çdo qytetar të zonës së tij të mbulimit, që është i prekur nga COVID-19.

“Çfarë është e rëndësishme është që sot realizojmë në mënyrë elektronike kartelizimin elektronik të pacientëve, të cilët janë të dyshuar, kanë shenja, kanë simptoma të Covid19, apo janë raste të konfirmuara me Covid19 dhe terapitë e tyre të mjekimit”, u shpreh ministrja.

Gjatë vizitës saj në qendrën shëndetësore nr.10, ku rreth 30 pacientë të konfirmuar me Covid19 po ndiqen nga mjekët e familjes, Manastirliu tha se duhet të vijojë komunikimi dhe informimi me qytetarët për ndjekjen e çdo rasti që konfirmohet me virusin e rrezikshëm.

“Numri 0800 400 400 është një linjë e gjelbër, e dedikuar për të gjithë ata qytetarë që kanë nevojë për informacion, që kanë nevojë të dinë kush është mjeku i familjes, që kanë nevojë të kontaktojnë direkt me mjekun e familjes për t’i lehtësuar komunikimin me mjekun dhe sigurisht për të bërë të mundur më pas ndjekjen e tyre kur janë të prekur nga COVID19”, bëri thirrje Manastirliu.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303