Marrëveshja për patentat me Italinë, ja ç’thotë ministri Cakaj

WhatsApp-Image-2019-06-03-at-11.38.50-675x450.jpeg

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, në një postim në rrjetin e tij social Facebook njofton qytetarët shqiptarë me banim apo që vizitojnë Italinë për realizimin e “Marrëveshjes ndryshuese për konvertimin e lejeve të drejtimit”. Kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi më datën 8 shtator 2019.

“Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje ndryshuese i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë rezidentë në Itali, pasi bën njohjen e modeleve të reja të lejeve të drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar, duke lehtësuar shpenzimet dhe kohën për konvertimin apo pajisjen me leje drejtimi italiane pa kaluar testet teorike e praktike të drejtimit të automjetit.” shkruan Cakaj.

Gjithashtu, ai njofton shtetasit shqiptarë me lejet e reja të drejtimit që vizitojnë e qëndrojnë në Itali për deri 3 muaj, se nuk kanë nevojë të pajisen me leje ndërkombëtare të drejtimit të automjetit.

Cakaj thekson se të njëjtat përpjekje e hapa Shqipëria i ka ndërmarrë edhe me shtete të tjera ku ka komunitete shqiptare, por për arsye e procedura të brendshme të këtyre shteteve ato nuk janë përfunduar ende.

“Ministria e Jashtme do të vijojë të nxisë realizimin e marrëveshjeve të tilla edhe me këto vende duke i ardhur sa më shumë në ndihmë bashkëkombasve tanë nëpër botë.” përmbyll Cakaj postimin e tij.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303