Marrëveshja për reformën zgjedhore, OSBE: Hap i rëndësishëm

Pas arritjes së marrëveshjes lidhur me reformën zgjedhore ka ardhur dhe reagimi nga OSBE. Përmes një postimi në rrjete sociale prezenca e OSBE në Shqipëri është shprehur se e mirëpret marrëveshjen e sotme politike.

“E shohim këtë marrëveshje si një hap të parë të rëndësishëm drejt një reforme të plotë e në kohën e duhur, që do të trajtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në dobi të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Prezenca është e gatshme të vijojë të kontribuojë në procesin e reformës zgjedhore, në përputhje me mandatin e saj,”-thuhet në reagimin nga OSBE.

Përfaqësuesit e opozitës jashtë Parlamentit, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili u ulën në një tryezë me bashkëdrejtuesit e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari.

Palët kanë rënë dakord që të formojnë një Këshill Politik me përfaqësues nga të gjitha palët, i cili do të mblidhet brenda muajit janar të këtij viti.

Në dokumentin e publikuar thuhet se palët e përfshira angazhohen të adresojnë me konsensus të gjitha çështjet e administrimit të zgjedhjeve që janë objekt pune i Komisionit të Reformës Zgjedhore, përfshirë këtu edhe rekomandimet e OSBE/ODHIR.