Masakra në Teksas, hakmarrje për pushimin nga puna

Shtatë persona kanë vdekur dhe 22 të tjerë janë plagosur, pasi një shofer kamioni nga Teksasi gjuajti me armë zjarri në drejtim të tyre.

Në mesin e të lënduarve është edhe një vajzë 17-muajshe e cila është në gjendje kritike për jetën.

Seth Ator, 36 vjeç, punonte si shofer kamioni dhe lajmin për pushimin e tij nga puna nuk e priti mirë. Në shenjë revolte ai sulmoi policinë dhe pas disa orësh ai plagosi edhe 22 persona të tjerë, duke lënë 7 të vdekur mes tyre.

Megjithatë 36-vjeçari i cili hapi zjarr ndaj policisë dhe kalimtarëve, nuk ishte i panjohur. Ai rezulton të jetë i arrestuar në vitin 2001 për shkelje.

Disa orë para sulmit, Ator u pikas nga patrulla e policisë rrugore pasi po bënte lëvizje te çuditshme me të cilin po udhëtonte në një autostradë në Midland në Teksas. Ai nuk iu bind urdhrit të policisë dhe nisi të qëllojë me armë.

Policia iu kundërpërgjigj sulmit në autostradë dhe Seth Ator u përpoq të largohej me shpejtësi. Ai rrëmbeu edhe një furgon të shërbimit postar dhe hapi zjarr ndaj kalimtarëve, por u ekzekutua nga policia pranë një kinemaje në një qendër tregtare.

Sulmi i së shtunës në SHBA është i dyti që ndodh brenda një muaji pas atij në El Passo, e një gjë e tillë ka shtuar kritikat ndaj presidentit Donald Trump për kontrollin e armëve.