fbpx

Masakrat naziste dhe debati ende i ndezur për ikjen e gjermanit të fundit nga Shkodra

Screenshot_2-20.png

Nga Ervis Hasanaga

Në prag të festave të 28-29 Nëntorit një nga debatet më të mëdha që i shoqëron këto festa është pikërisht dilema se kur ka ikur gjermani i fundit nga Shkodra, më 28 apo më 29 Nëntor. Palët politike, por edhe vetë historianët janë të ndarë në qëndrimet e tyre përsa i përket kësaj çështjeje.

Por, edhe sot, plot 28 vjet pasi në Shqipëri u përmbys diktatura komuniste dhe vendi hyri në rrugën e zhvillimeve demokratike, forcat politike shqiptare të ndarë në të majtë dhe në të djathtë, vazhdojnë të përkujtojnë veçmas dy prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë moderne të Shqipërisë. PS dhe aleatët e saj festojnë 28 nënorin 1912 si datë të pavarësisë së vendit dhe 29 nëntorin 1944 si datë të çlirimit, ndërsa PD përfaqësuese e të djathtës shqiptare festojnë 28 nëntorin si datë të dyfishtë të këtyre festave. Argumentat që sjellin palët janë nga më të ndryshmet. Megjithatë 28 dhe 29 nëntori festohen zyrtarisht sy dy data të shënuara të historisë shqiptare.

Por duket se kësaj ndarjeje nuk i kanë shpëtuar as historianët.

Përveç historianëve shqiptarë, të vërtetën mbi çlirimin e Shqipërisë e faktojnë edhe dokumente të ushtrisë gjermane, që janë një referim i rëndësishëm për të qartësuar nëse Shqipëria u çlirua më 28 apo 29 Nëntor. Në ditarin sekret të komandës së lartë të Wehrmacht-it gjerman, të mbajtur gjatë 14 muajve të pushtimit të Shqipërisë, përshkruhen detaje të operacioneve në Shqipëri. Çdo lëvizje, çdo vendim ushtarak u shënua në këtë ditar, i cili dëshmon të gjitha lëvizjet politike dhe ushtarake të pushtuesit gjerman në Shqipëri, të cilët ishin duke u tërhequr nga të gjitha frontet e luftës.

Doktor Marenglen Kasmi, i cili ka studiuar dokumente të panjohura të arkivit ushtarak gjerman të Freiburg-ut, që duket se hedhin dritë përfundimisht për kohën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit gjermanë, thotë se ushtari i fundit gjerman u largua nga Shkodra më 29 nëntor 1944 dhe tërheqja e gjermanëve nga Shqipëria varej nga një urë. “Ky rajon, ku ishte edhe kjo urë strategjikë, u mor së pari në datën 28 nëntor, është edhe koha që përkon edhe me dhënien e urdhrit për largimin e forcave gjermane nga Shkodra. Xhenierët gjermanë vendosën të ndërtojnë përkrah saj një urë tjetër, ku të sigurohej rrugë-kalimi. Por duhet theksuar, se mbi këtë lumë ndodheshin edhe disa ura të tjera por të vogla.

Duke qenë që filloi ndërtimi i urës dhe u sigurua rajoni vazhdoi edhe tërheqja nga Shkodra. Rruga do të çahej me luftim nga të dy krahët, ka qenë një parim i tërheqjes së forcave gjermane në të gjitha frontet”, thotë Kasmi. Kjo urë e ndërtuar mbi lumin Moraça, disa kilometra në jug të Manastirit të Moraçës, me një lartësi prej 50 metrash ishte hedhur në erë, duke u bërë e papërdorshme. Në disa dokumenta të gjetur nga doktor Maringlen Kasmi thuhet se, në datën 29 nëntor, në ditarin luftarak është shënuar që pozicioni pengues, Shkodra, është lëshuar nën presionin e bandave (partizanëve) në mbrëmjen e datës 28 nëntor. Po ashtu në këtë raportim, thuhet se një kompani turkmenësh, nën komandën gjermane dezertoi dhe kaloi tek armiku.

Dokumenti që vërteton ikjen e gjermanit të fundit

Në këtë valë debatesh na vjen për herë të parë një dokument, që hedh dritë mbi këtë çështje. Ai që ka shkruar tekstin nuk është as i djathtë e as i majtë, nuk është as veteran, as ballist, as gjerman. Ai është një njeri i Zotit. Madje nuk është as shqiptar, por italian, kështu që nuk ka gjasa të mendojmë se është manipuluar nga ndokush. Dokumenti mban datën 1 janar 1945 dhe është firmosur nga i dërguari i Vatikanit në Shqipëri, Leone G. B. Nigris, selia e të cilit ishte në Shkodër. Bëhet fjalë për një raport të plotë që delegati apostolik Nigris i dërgonte Vatikanit mbi gjithë periudhën e qëndrimit të tij në Shqipëri, nga viti 1938 deri në 1944. Ky dokument është siguruar në arkivat e Vatikanit.

Për autenticitetin e tij dëshmon edhe dr. Dom Nikë Ukgjini, i cili gjithashtu është në dijeni për ekzistencën e një materiali të tillë, të cilin e ka hasur gjatë kërkimeve të tij studimore. Nigris është një dëshmitar okular i gjithë ngjarjeve që kanë ndodhur aso kohe në Shqipëri. Me shumë vlerë është dëshmia për çlirimin e Shkodrës. Përfaqësuesi i Vatikanit bën një ekspoze të situatës, si dolën gjermanët nga Shkodra, si hynë forcat partizane dhe si u festua dita e çlirimit. Sipas Nigris, forcat gjermane janë larguar nga Shkodra në mëngjesin e datës 29 nëntor. “Për fat kontingjenti i fundit gjerman u largua në orën 4 të datës 29, kështu që partizanët mund të hynin në qytet pa asnjë të shtënë”, shkruan Nigris. Ai na tregon për festën që u zhvillua në qytet, për entuziazmin e banorëve.

“Shtinin me armë në shenjë feste, duke krijuar një zhurmë shurdhuese, ndërsa një re tymi shtrihej mbi gjithë qytetin. Dita ishte tepër e gjallë, por nuk pati çrregullime. Paradës së partizanëve i shtoheshin tufa fëmijësh me flamuj kombëtarë e duke kënduar”, shkruan ai më tej. Nigris dëshmon për ditët që paraprinë çlirimin e vendit, reprezaljet e gjermanëve, viktimat e pafajshme, mes të cilëve edhe klerikë. “Dukeshin egërsira. Ndiqnin njerëzit nëpër shtëpi dhe kursenin vetëm në këmbim të arit. Vranë shumë njerëz në kishën e jezuitëve dhe plagosën Padre Giovanni Faustin, që kërkonte të ndalonte këtë masakër”, – komenton Nigris.

Gjithashtu ai na jep edhe një panoramë, për ditët pas çlirimit, ku u dukën tendencat e para të vendosjes së diktaturës në vend dhe valën e persekucionit ndaj familjeve tregtare, apo forcave kundërshtare. Raporti i Nigris, dërguar Selisë së Shenjtë në Romë, është një dokument i vyer që i duhet historianëve në këto ditë debatesh.

Masakra e Borovës

Masakra e Borovës u krye nga trupat e Divizionit I Alpin të Wehrmacht-it gjerman. Ky divizion, më 18 qershor 1943, u urdhërua të marshonte nga Mali i Zi në drejtim të Greqisë. Divizioni sapo ishte kthyer nga Fronti i Lindjes me qëllim rifreskimin dhe riformatimin e tij, si pasojë e humbjeve që kishte prapësuar gjatë luftimeve. Kështu që, pas rifreskimit me trupa, forca e tij luftarake ishte rreth 24.000 ushtarë. Pas dhënies së urdhrit të marshimit ky divizion u fut në organikën e Grupimit të Forcave Tokësore E, nën komandën e gjeneralkolonelit Alexander Lohr. Lohr fillimisht synoi të organizonte marshimin nga Mali i Zi në Greqi, duke i ndarë forcat në katër kolona marshimi, në rrugëkalimin Mitrovicë-Shkup- Velesh-Manastir-Follorinë- Ptolemaida-Kozan. Me të mbërritur në Kozan, Divizioni Alpin gjatë marshimit për në Janinë do të ndërmerrte një sulm me bazë të gjerë dhe do të krihte gjithë malësinë e Pindit nga partizanët grekë. Pas mbërritjes në Janinë, divizioni do të ishte në dispozicion të Grupimit E dhe do të merrte masa për mbrojtje ndaj një invazioni të pritshëm aleat. Gjithsesi, duke iu trembur këtij zbarkimi, Lohri vendosi të bënte transportimin e divizionit sa më shpejt të ishte e mundur për në destinacionin përfundimtar, Janinën. Pavarësisht temperaturave të larta, këmbësorët alpinë gjermanë marshonin në këmbë mesatarisht 45 km në ditë, madje hera-herës arritën deri në 65 km, siç ishte për shembull rasti i Batalionit III, i Regjimentit 98, i cili do të kryente edhe masakrën në Borovë. Duken ndryshuar rrugëkalimin, pas mbërritjes në Shkup, divizioni e vazhdoi lëvizjen me mjete transporti dhe jo më në këmbë, çfarë nuk ishte e zakonshme për këtë trupë luftuese. Meqenëse rruga Gervena- Janinë, nëpërmjet Qafës së Metsovos, ishte një rrugë shumë e ngushte, e vështirë dhe thuajse gjithë urat ndërmjet Kallabakës dhe Janinës ishin hedhur në erë nga partizanët grekë, u vendos që divizioni të marshonte nëpërmjet një rrugëkalimi tjetër, pra nëpërmjet Shqipërisë, në drejtimin Follorinë- Bilisht-Korçë-Ersekë- Leskovik-Janinë.

Arsyet e masakrës

Pavarësisht përshkrimit të ndryshëm të ecurisë së betejës, përmasat e masakrës së ushtruar në Borovë përshkruhen njësoj si në historiografinë shqiptare, ashtu edhe në burimet gjermane. Pas kryerjes së masakrës, kompanitë gjermane e kaluan natën diku ndërmjet Borovës dhe Barmashit, ku i vazhduan reprezaljet e filluara në Borovë kundër popullsisë vendëse. Tetë fshatarë, të cilët nuk mundën të largoheshin në kohë, u ekzekutuan në vend. Arsyeja e kryerjes së masakrës i kalon përmasat e një hakmarrjeje të thjeshtë. Në një raport për organizimin e lëvizjes së Divizionit I për në Janinë shkruhej se popullsia vendëse i ndihmon partizanët dhe fshatrat janë të “infektuar nga bandat”. Kështu që, sipas tij, në parim duhej që çdo civil që hasej në rrugë të arrestohej, sepse ata mund të dekonspironin operacionet. Bazuar në këto përfundime, por edhe në përvoja të tjera, Grupimi i Forcave Tokësore E hartoi një urdhër, i cili i lejonte shumë hapësirë interpretuese komandantëve vartës.

Ndër të tjera në të thuhej: “Gjatë pastrimit të territoreve të rrezikuara nga bandat (siç i quanin partizanët) duhet të merren masa shumë të mprehta. Gjithë vendbanimet, të cilat mund të shërbejnë si vendstrehime të banditëve, duhet të shkatërrohen. Nëse ka dyshime që burrat vendës janë të përfshirë në luftime ose mbështesin banditët, duhet të ekzekutohen në vend. Në të kundërt ata duhet të merren si robër lufte. Nëse ushtrohen akte sabotazhi, duhet të merren masa të rrepta kundër popullsisë. Çdo tolerancë e treguar gjatë trajtimit të popullsisë, do të interpretohet si shenjë dobësie dhe kushton gjak gjerman…”. Lëshimi i këtij urdhri që binte në kundërshtim me ligjet e luftës u bë thuajse në të njëjtën kohë me zbarkimin aleat në Sicili, më 7 korrik. Tashmë rreziku ishte tepër evident për gjermanët që aleatët mund të zbarkonin edhe në Greqi, në aerodromet e Janinës, si edhe në bregdetin shqiptar.

Kështu që goditja e parë që trupat gjermane morën në pritën e Barmashit duhej të merrte një përgjigje brutale, me qëllim që të fitohej qetësia dhe popullsia vendëse dhe partizanët shqiptarë të mos guxonin më të pengonin apo godisnin lëvizjen e trupave të Div. I Alpin përgjatë tri javëve nëpër tokën shqiptare. Pra, arsyeja ishte më e komplikuar sesa humbja e jetës së një apo dy ushtarëve gjermanë, ndërkohë që kryerja e reprezaljeve ishte kthyer tashmë në një strategji, e cila siguronte qetësinë dhe ruajtjen e forcave dhe bazës materiale për gjermanët. Kjo strategji do të përdorej në masë nga gjermanët edhe pas pushtimit gjerman të Shqipërisë! Për të parandaluar luftën partizane, komanda gjermane në bashkëpunim me atë italiane nxori edhe një urdhër më të detajuar për mënyrën e trajtimit të popullsisë civile në zonat e pushtuara.

Ndër të tjera në të shkruhej: “… Asgjësimi i plotë i vendbanimeve do të bëhet atëherë kur: nga vendbanimi hapet zjarr kundër trupave tona. Në vendbanime gjenden armë, municione, ushqime ose materiale të tjera të banditëve …”. Marrja e masave nuk u kufizua vetëm në arrestime apo kërcënime të popullsisë. Vrasja e popullsisë së pafajshme ishte rregulli kryesor. Këtë gjë e vërtetoi më së miri Masakra e Borovës. Masakra e Borovës është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas lufte, në Barmash u ngrit një lapidar i madh, i cili kujtonte masakrën e bërë nga trupat gjermane.

Më vonë, me gurët e shtëpive të djegura u ngrit muri rrethues i varrezave të viktimave të Borovës, ku çdo gur varri personifikon një viktimë. Duhet theksuar fakti që jo të gjithë ushtarët gjermanë morën pjesë në këtë masakër. Pati edhe gjermanë që në kundërshtim me urdhrat e dhënë e ndihmuan popullsinë civile të arratisej. Vitin e shkuar, në përvjetorin e 70-të të masakrës, i biri i një ushtari austriak, Anton Burger, i cili kishte marrë pjesë në masakër erdhi në Borovë dhe kërkoi falje në emër të familjes për atë çka babai i tij kishte bërë. Markus Burger kishte gjetur një ditar të babait, ku përshkruhej masakra. Po ashtu duhet theksuar se përgjegjësit e kësaj masakre nuk dolën asnjëherë përpara drejtësisë.

Masakra e Vranishtit

Në vitin 1943 në Vranisht hynë trupat e Wehrmachtit ku kryen një masakër masive kundër popullsisë civile. Të gjithë burrat u vranë. Sipas burimeve duhet të jenë vrarë rreth 50 burra civilë nga mosha 4 vjeçare deri në atë 70 vjeçare. Forcat gjermane arritën deri në të përpjetat dhe aty ndaluan. Nga shpërthimi i tyre u dëmtuan dy, tri makina, të cilat bllokuan kalimin e automjeteve të tjera të autokolonës gjermane. Në orën 8.00 të mbrëmjes që ishte ditë e martë, u pa të dilte tym i madh në fshatin Vranisht, të cilin kishin filluar ta digjnin gjermanët.

Reparti ndëshkues gjerman, që dogji dhe masakroi fshatin, ishte i përgatitur për veprime terroriste të kësaj natyre dhe kështu kishte vepruar edhe në vende të tjera, ku ata kishin kaluar. Ky repart komandohej nga majori.

Në Dimrin 1943-1944 nazistet ndërmorën një operacion ndëshkues në krahinën e Mesaplikut, te koduar “Bergkessel” (Kazani Malor), për te asgjësuar forcat partizane që ishin dislokuar në ketë gryke. Në Vranisht, me 18 dhjetor, ata ndeshen në një rezistence, si rezultat i se cilës pësuan humbje te renda në kufi me Terbaçin dhe në Shesh te Mesit, aty ku rruga gjarpëron për në Kallarati. Te informuar për këto humbje, forca përforcuese naziste që erdhën nga Tërbaçi sapo hynë në territorin e Vranishtit masakrojnë 9 persona civile që u përballen me ta rrugëve te fshatit, midis tyre 6 gra. Situata e nxete nuk ju dha kohe për te ta thelluar ndëshkimin. Ketë gjë e konkretizuan në fazën e dyte te Operacionit te koduar “Harridoh” (Thirrja për ta çuar gjahun në shteg), pikërisht në data 9 dhe 10 shkurt. Konkretisht nazistet në datën 9 shkurt, pasi bëjnë rrethimin e Vranishtit, hyjnë shtëpi me shtëpi me ura zjarri në dore. Kush tentoi te largohej, u ekzekutua në vend, kurse dy pleq u hodhën te gjalle në zjarr. 18 vranishjote u masakruan në ketë date, kurse 30 te tjerë, mbas një seleksionimi që ju be te izoluarve në qendër te fshatit, u pushkatuan në Brataj te nesërmen.

Në agimin e 10 shkurtit, pas një seleksionimi të vogël, kur kolona e ngarkuar me municion prej 41 vetësh, sapo kishte filluar lëvizjen, fshati po kthehej në gërmadhë. Në ikje e sipër, forcat armike rifilluan djegien e shtëpive të mbetura, dogjën bagëtitë nëpër katoje e pulat në qymezë. Fshati nuk kish njohur një situatë të tillë lufte, ku heroizmi nuk ishte një akt individual, por një dukuri kolektive. Virtyti, trimëria, jeta e vdekja ishin kthyer në një forcë të madhe hakmarrëse. U masakruan Dervish Alikua në duart e nënës, dy vëllezërit Jonuz dhe Ahmet Basho, Daut Sinaj, Çelo Brahimi, Muço Bajrami e Nazo Adem Osmëni. Të njëjtin fat kishin pësuar edhe dy partizanë të sëmurë, që u gjendën befasisht ballë përballë me gjermanët te shtëpitë e Bejo Zenelit, i cili i shpëtoi vdekjes së sigurt falë ndërhyrjes së Kadri Gurit. Kurse Rexhep Çinon e Dalan Kaçin, dy ish-luftëtarë të Luftës së Vlorës, pasi i vranë në avllitë e tyre, i hodhën në zjarret përvëluese të shtëpive përkatëse. Këtë fat pësuan gjithë shtëpitë e boshatisura nga kontrolli agresiv. Marshimi Vranisht-Tërbaç-Brataj i dhjetra banorëve të fshatit, zbathur e të pangrënë, ngarkuar në shpinë me material luftarak e të plagosurit gjermane, u krye në kushte të rënda psikologjike, atmosferike dhe fizike. Në Brataj oficerët gjermanë i ndanë fatzinjtë në tre grupe (shkolla e vjetër, shkolla e re dhe në qendër të fshatit) dhe filluan masakrimin barbar të tyre, ndërsa grupi i katërt mbërriti natën e u ndëshkua poshtë fshatit.

Pa asnjë armatim personal e asnjë mbështetje, që ata kurrë nuk ua kishin kursyer të tjerëve, ranë heroikisht: Azbi Ramadani, Sali Xhama, Zeqir e Shaban Llanaj, Hamit Lamaj, Hajro Çino, Razi Shyti, Sinan Xhama, Dervish Caraj, Arap Janushi, Faik Janushi, Demir e Mersin Zoto, Arshi Xhebraj, Dino Bajrami, Rakip Duka, Ahmet Demo, Ymer Basho, Faik Shakaj, Merçan Shakaj, Ahmet Xhebraj, Yzeir Kongjoni, Nazer Premtaj, Halim Karroqaj, Sulejman Limaj, Osman Tartari, Avdi Ismaili, Mingo Bajrami dhe Ariz Varfi. Ndërsa nga ata që i shpëtuan barbarizmit, por të gjymtuar, sakatuar e tjetërsuar ishin: Abaz Limaj, Ahmet Llanaj, Azbi Aliu, Arshi Ymeri, Haxhi Jakupi, Xhemil Demo, Sadedin Duka,Ymer Xhaferri, Xhebro Aliu, Mersin Limaj dhe Mingo Lloj. Gjetja e tyre nëpër gurët dhe përrallet e Bratit, mbartja për në Vranisht si në legjendat antike, në kollona të shkëputura, me më shumë të vdekur se sa të gjallë, dhe varrimi pa asnjë rit, janë një tjetër dënim e kujtim i hidhur.

Kjo masakër, për sa i përket numrit te viktimave me atë që ndodhi në Borove, ka humbje me te pakta njerëzore, pasi atje (në Borova) u masakruan 107 burra, gra e fëmije. Pavarësisht nga ky bilanc, ato kane veçorinë e përbashkët se përligjin teorinë makabre hitleriane se “Terrori është mjet për sundim dhe fitore” si dhe dëshmojnë me se miri se nazistet nuk erdhën si kalimtare në Shqipëri, por si barbare. Populli i Vranishtit, megjithëse u dëmtua rende nga ky operacion, e mbështeti edhe me fuqimisht rezistencën antifashiste deri në shporrjen përfundimtare te okupatoreve duke i qëndruar deri në fund te luftës besnik idealit te lirisë.

 

Më 18 dhjetor u masakruan :

1) Asqerie Hasanaliaj

2) Bejushe Bitri

3) Hamide Bitri

4) Iljaz Tahiri

5) Sabedi Gjikondi

6) Shefit Bitri

7) Trendafile Hasanaliaj

8) Yzeir Bajrami

9) Rubie Shyti

 

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *