May humbi kontrollin e Brexit dhe tashmë çdo gjë është e mundur

Analizë nga Jane Merrick për CNN,

Slogani i politikanëve që duan që Britania të largohet nga Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë “të marrë përsëri kontrollin”.

Ndërsa Westminster përgatitet për një natë të tretë radhazi të dramës së Brexit, tani ngrihet pyetja : Kush e ka në kontroll?

Sigurisht që Theresa May nuk e ka në kontroll. Të mërkurën, ajo pësoi një humbje tjetër poshtëruese, kur anëtarët e kabinetit të saj refuzuan të mbështesin qëndrimin e qeverisë në një votim vendimtar për çështjen e një Brexit pa marrëveshje.

Të enjten, ligjvënësit do të votojnë nëse do të shtyjnë largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian pas 29 marsit. Shumë e shohin këtë vonesë si një mundësi për të nxitur një “Brexit” të butë, me Mbretërinë e Bashkuar që mban lidhje të forta me BE.

Ligjvënësit do të votojnë një mocion, të paraqitur nga qeveria, që sugjeron shtyrjen e Brexit për një periudhë të shkurtër – deri në fund të qershorit.

Megjithatë, kjo është e diskutueshme për dy arsye: Së pari, shumë ligjvënës pro-Brexit nuk duan ndonjë shtyrje përtej datës origjinale të 29 marsit dhe do të preferonin që Britania të largohej nga BE pa një marrëveshje. Së dyti, deputetët e Parlamentit, ose sepse mbështesin një Brexit më të butë ose sepse mbështesin qëndrimin në BE, janë të pakënaqur që vonesa është e kushtëzuar nga votimi i Dhomës së Përfaqësuesve për marrëveshjen e May, e cila tashmë është hedhur poshtë dy herë.

Ky kusht nuk u përmend nga Kryeministrja kur ra dakord për mundësinë e një shtyrje të Brexit dy javë më parë – dhe kështu kundërshtarët e saj janë të zemëruar. Ligjvënësit do të përpiqen të heqin atë kusht dhe të votojnë për një shtyrje në çdo rrethanë.

Shija e rebelimit

May tashmë nuk ka më asnjë mundësi të marrë përsëri kontrollin e procesit të Brexit. Të mërkurën në mbrëmje në parlament, ajo e bëri të qartë se do të sjellë marrëveshjen e saj dy herë të refuzuar për një votim të tretë javën e ardhshme.

Por pas dy netësh të votimit kundër qeverisë, deputetët konservatorë tashmë kanë filluar të shijojnë shijen e rebelimit. Disiplina e qeverisë dhe besnikëria ndaj partisë janë shkatërruar.

Ideja e një Brexit pa marrëveshje është qartazi e kundërshtuar nga Parlamenti – dhe ndërkohë dalja pa asnjë marrëveshje mbetet skenari ligjor i vetëm, nëse një plan nuk miratohet para afatit që Britania e Madhe të largohet nga BE. Votimi i së mërkurës i ka dhënë kritikave të May një shtysë të re për të provuar planin e Brexit që ata duan.

Nga ana tjetër, shumë e shohin mundësinë e një vonese tre mujore si një mundësi për të ndryshuar plotësisht kursin e Brexit. Nëse Parlamentit i jepet më shumë kohë, mendohet se mund të arrijë një konsensus për një Brexit më të butë.

Pra, së bashku me mocionin kryesor në mbrëmjen e së enjtes, do të ketë një sërë ndryshimesh që mund të tregojnë një rrugëdalje nga ngërçi i Brexit.

Këto mund të përfshijnë pyetjen e Brukselit për të shqyrtuar rinegociimin e Brexit aktual, duke pasur parasysh hezitimin e Parlamentit për ta mbështetur atë.

Presioni për rinegociim

Ndërsa shefat e BE-së kanë hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur rihapjen e marrëveshjes së tërheqjes, ata mund të fillojnë të ndiejnë presionin për ta bërë këtë.

Kryenegociatori i BE-së për Brexit, Michel Barnier, u tha anëtarëve të Parlamentit Evropian të mërkurën se topi tashmë është në fushën e Londrës.

“Është përgjegjësia e Britanisë së Madhe të na tregojë se çfarë duan për marrëdhëniet tona në të ardhmen. Kjo është çështja që duhet të parashtrohet, për të cilën ne presim një përgjigje. Kjo do të jetë prioritet edhe para çështjes së zgjatjes së afatit”- përfundoi  ai.

Për të hapur rrugën për rinegociim, ligjvënësit mund të mbajnë një sërë votash indikative – të cilat nuk do të jenë ligjërisht të detyrueshme por do ti tregonin BE-së se cila marrëveshje do të merrte mbështetje të gjerë dhe do të bënte që Brexit të ndodhte me konsensus.

Këto opsione mund të përfshijnë mbajtjen e Britanisë në një formë të bashkimit doganor me BE-në, ide për të cilën përkrahësit thonë se do të ishte më mirë për ekonominë e Britanisë së Madhe, duke pasur parasysh se ekziston edhe perspektiva e daljes pa asnjë marrëveshje, ose për të krijuar një partneritet të ri midis Britanisë së Madhe dhe BE-së, të ngjashëm me atë që ka Norvegjia dhe Brukseli.

Deputetët gjithashtu mund të votojnë nëse vendi duhet të mbajë një referendum të dytë, edhe pse ky plan nuk ka gjasa të kalojë në parlament.

Pas disa muajsh që kryeministrja refuzoi të hapë procesin e Brexit për deputetët, duke i detyruar ata të mbështesin marrëveshjen e saj ose të përballen me një dalje nga BE pa marrëveshje, papritmas Brexit është i hapur për çdo opsion.

Ligjvënësit e zakonshëm tashmë kanë marrë kontrollin e Brexit nga kryeministrja May. Tashmë janë ata që do të vendosin.

Jo vetëm që duket sikur Brexit do të vonohet, por Britania e Madhe mund të shkojë për një Brexit të butë. Përktheu /real-news.tv/