Mbesa e Musine Kokalarit, e para shqiptare në PE

Një shqiptare ulet për herë të parë në Parlamentin Europian. Ajo është Arba Kokalari, që jeton prej vitesh në Suedi. 32-vjeçarja shqiptare mori mbështetjen e suedezëve në zgjedhjet për parlamentin Europian që u zhvilluan ditën e diel. Kokalari arriti që të fitonte me partinë e Moderatëve suedezë, pjesë e Partisë Popullore.

“Unë kam hyrë në parlamentin evropian! Faleminderit për të gjithë ata që kanë luftuar për mua!” shkruante deputetja më e re e PE, Arba Kokalari në Facebook pas daljes së rezultateve. Partia ku bën pjesë edhe shqiptarja fitoi 17.6 % të votave të përkthyera në 4 deputetë në PE.

Por kush është ajo? Arba Kokalari lindi në Tiranë më 27 nëntor 1986 dhe është mbesa e Musine Kokalarit së diplomuar në “La Sapienza” të Romës në vitin 1941, por që u dënua dhe internua më vonë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës në Shqipëri dhe vdiq në 1983.

Arba Kokalari që 16-vjeçe nisi të merrej për herë të parë me politikë, ndërsa vitet e fundit ishte mjaft aktive në partinë e saj ku udhëhoqi rininë dhe departamentin e Kulturës në qytetin e Stokholmit, po ashtu edhe zëvendëse e kryetarit të shoqatës së EPP-së YEPP në maj 2015. Pas fitores së arritur 32-vjeçarja shqiptare ka marrë shumë urime nga shqiptarët në mbarë botën, por edhe politikanët në Tiranë dhe Prishtina.

Ndër të parët që e përshëndetën ishte ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli. “Tani kemi lajme të mira nga Suedia. Sapo është konfirmuar se Arba Kokalari me prejardhje shqiptare ka siguruar vendin e saj në Bruksel. Historike, sepse është eurodeputetja e parë shqiptare ndonjëherë. Urime”.

Ndërsa Lulzim Basha në mesazhin e tij thekson se “Urova në telefon Eurodeputeten e parë shqiptare, shqiptaro-suedezen Arba Kokalari që u konfirmua pak çaste më parë si fituesja e mandatit të eurodeputetes për partinë e Moderatëve suedezë, simotrës tonë në Partinë Popullore Europiane! Natë e paharrueshme për Arbën dhe familjen e saj, natë fitore për Moderatët që konfirmuan 4 eurodeputetë dhe natë historike për të gjithë ne shqiptarët që inaugurojmë me Arba Kokalarin praninë shqiptare në ulëset e Parlamentit Europian!

Krenar dhe i lumtur me fitoren e Arbës, ju shpreh mirënjohjen time të gjithë bashkatdhetarëve tanë në Suedi që me votën e tyre e mundësuan këtë moment historik! Dua po kështu t’ju falënderoj me mirënjohje në emrin tim dhe të Partisë Demokratike, të gjithë ju bashkatdhetarë të nderuar në vendet e BE që me votën tuaj për partitë simotra të PD, rikonfirmuat Partinë Popullore Europiane si forcën e parë politike në Parlamentin e ardhshëm Europian! Shqipëria Si Europa” shkruan Basha. Pati disa kandidatë shqiptarë në zgjedhjet europiane në Belgjikë, Greqi, Itali dhe Suedi, por vetëm Kokalari arriti që të fitonte.