Mbi 2.5 milionë pelegrinë në Mekë

Rreth 2.5 milionë pelegrinë kanë nisur ritin e përvitshëm të haxhit në qytetin e shenjtë saudit të Mekës.

Udhëtimi rreth Qabesë, si një nga pesë shtyllat e fesë islame, duhet realizuar të paktën një herë në jetë nga çdo besimtar mysliman, sipas mundësisë.

Qëllimi i saj është unifikimi i myslimanëve dhe shkëputja e vetes nga pasuria dhe materializmi.

Ndërsa ceremonitë simbolizojnë sprovat e profetit Muhamed shekuj më parë.

Karvani i grave pelegrine të veshura me fustane e shalle, dhe i burrave me mbulesa të bardha, kaloi të premten shtatë herë përqark Qabesë, duke falur ritet e shenjta.

Për të shmangur përsëritjen e katastrofës si ajo e 2015-s, kur 2,300 besimtarë humbën jetën të shkelur nga njëri-tjetri, autoritetet njoftojnë se kanë marrë masat dhe kanë ngritur më shumë se 350 mijë stenda me ajër të kondicionuar për pelegrinët e ardhur nga jashtë.

Ndërkohë rituali simbolik i hedhjes së gurëve drejt shejtanit do i paraprijë të dielën festës së Kurban Bajramit që organizohet edhe në Shqipëri.

Rituali i Kurban Bajramit fillon me faljen e namazit herët në mëngjes, pastaj vazhdon me prerjen e kurbanit, duke përfunduar me vizitat tek të afërmit, fqinjët dhe miqtë.