fbpx

Mbi 200 mijë armë ilegale në Kosovë

arme-780x439-1.jpg

Nga muaji dhjetor i vitit të kaluar ka filluar aplikimi për legalizimin e armëve ilegale, të cilat i posedojnë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme (MPB), i cili është edhe Koordinator Nacional për Armë të Vogla dhe të Lehta, Izmi Zeka, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se interesi shtetëror është siguria e përgjithshme e qytetarëve të vendit.

Sipas tij, ky është një standard evropian që praktikohet për çështjen e legalizimit të armëve. “Së pari është interes shtetëror çështja e sigurisë së përgjithshme të qytetarëve dhe në këtë komparacion ekziston edhe ligji për legalizimin e armëve që ka kaluar në parlamentin e Kosovës në vitin 2017. Ky është një standard edhe evropian që praktikohet për çështjen e legalizimit të armëve”, ka thënë ai.

Zeka tregoi se duke u bazuar në disa statistika, në Kosovë janë mbi 200 mijë armë ilegale. “Vrasjet dhe aktet kriminale që ndodhin, zakonisht ndodhin prej armëve ilegale. Jemi munduar si MPB, që të krijojmë një mundësi që të gjithë ata qytetarë që disponojnë armë ilegale t’i legalizojnë dhe në një farë forme të krijohet dhe një databazë dhe të dihet armët se ku janë. Këtë standard e kanë bërë edhe shtetet e Ballkanit edhe ato të Evropës, etj”, tha Zeka.

Ai theksoi se prej 17 dhjetorit të vitit 2018, ka filluar të nxirret vendimi për legalizimin e armëve, kurse deri tash janë dërguar mbi 500 aplikacione.

Zeka shpreson që numri i aplikimeve për legalizim të armëve, të rritet deri në fund të këtij viti. “Prej 17 dhjetorit 2018 ka filluar të nxirret vendimi për legalizimin e armëve, ku deri tash janë mbi 500 aplikacione dhe shpresojmë që numri do të rritet nga fundi, për shkak se është në natyrën tonë njerëzore që presim muajt e fundit…”.

Zeka gjithashtu iu ka bërë kërkesë edhe institucioneve të vendit, që të angazhohen direkt në këtë kampanjë. I pyetur nëse do të ishte e rrugës që të ndryshohet ndonjë amandament në Ligjin për armëmbajtje, në mënyrë që qytetarët të pajisen me armë legale, ai tha se ky është aspekt tjetër.

“Mendoj që Ligji për armëmbajtje është aspekt tjetër nga ai për legalizim të armëve. Mendoj që edhe Ligji për armët ka nevojë për amandamentim dhe t’i përshtatet në një farë forme standardeve evropiane. Ndoshta kjo do të bënte që në një farë mënyrë tu krijojë mundësi qytetarëve që të pajisjen me leje të rregullt dhe të kenë bartjen e armëve. Me ligjin aktual mundësia është shumë e vogël në aspektin rregullativ, që njerëzit të pajisen me armë mbajtje me vete”.

Ndërsa avokati, Musa Damati ka vlerësuar se ligji për armët duhet të ndryshohet dhe të amandamentohet, në favor të lehtësimit të procedurave të pajisjes me leje për qytetarët e vendit.

Ai tha se kjo duhet të ndodh me të vetmin qëllim që të gjithë qytetarët e rëndomtë të pajisen me armë mbajtje me leje në rast të sulmeve terroriste apo edhe grabitjeve.

“Ligji për armët duhet të ndryshohet, të amandamentohet, por kjo në favor të lehtësimit të procedurave të pajisjes me leje për armët. Kjo duhet të ndodh me të vetmin qëllim që të gjithë qytetarët e rëndomtë, dhe të moshës së madhe të kenë mundësinë që të armatosen dhe të pajisen me armë me leje, ashtu siç ekziston në shumë shtete të SHBA-së, në mënyrë që rasteve të sulmeve terroriste apo edhe grabitjeve (atëherë kur cenohet pasuria dhe jeta e qytetarëve të Republikës së Kosovës), vet qytetaret krimit t’i kundërpërgjigjen me armë të zjarrit. Ky është modeli i disa shteteve amerikane i cili duhet të inkorporohet edhe me legjislacionin e Republikës së Kosovës, me qellim të mbrojtjes më të mirë të jetës së qytetarëve”, ka thënë Damati. /Telegrafi/

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303