fbpx

Mbrojtësi kuqezi i superkërkuar/ Drejtori i Veronës tregon sa kushton Marash Kumbulla

Drejtori i Hellas Veronës, Tony D’Amico, i ka paralajmëruar klubet e interesuara për transferimin e mbrojtësit Marash Kumbulla se shqiptari kushton më shumë sesa 25 milionë euro.

Ylli i ekipit kombëtar të Shqipërisë, 20-vjeçari Marash Kumbulla, ka qenë në formë mbresëlënëse në sezonin e tij debutues në Serie A me Hellas Veronën, me një gol të shënuar në 18 ndeshje të zhvilluara.

Ai ka qenë i spekuluar për transferim gjatë afatit kalimtar të verës në klube si Napoli, Inter, Chelsea, Fiorentina, Manchester United, RB Leipzig, PSG, Everton, Lazio, Tottenham Hotspur dhe Eintracht Frankfurt për 25 milionë euro.

Megjithatë, drejtori sportiv i klubit italian i ka paralajmëruar të gjitha klubet që duan ta blejnë Kumbullën që ai kushton më shumë sesa 25 milionë eurot e raportuara nga mediumet italiane.

“Vlera e tij është më e madhe sesa kaq”, ka thënë D’Amico në një intervistë të dhënë për Sky Sport Italia.

“Ne po flasim për një mbrojtës të mrekullueshëm që e ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm, veçanërisht për moshën e tij. Ai do të ketë shumë oferta në tavolinë, por është ende shumë herët të flasim për shifra”. “Është një nder për ne që e kemi zhvilluar një lojtar të tillë në akademinë tonë”.