Mbi 20 të arrestuar në Bullgari për pasaporta false

Një grup personash është arrestuar në Bullgari për falsifikim të pasaportave, të cilat përdoreshin për të udhëtuar dhe punuar në Bashkimin Europian.

Grupi i hetuesve bullgarë ka raportuar se më shumë se 20 vetë janë arrestuar, duke përfshirë edhe zyrtarë.

Aplikantët thuhet se paguanin deri në 5,690 dollarë  për të marrë certifikata të rreme të origjinës bullgare.

Policia ka bastisur zyrat e Agjencisë Shtetërore për bullgarët jashtë vendit.

Stafi në agjensi thuhet se ishte përfshirë në shitjen e certifikatave të rreme për blerësit në vendet e afërta jo-anëtare të BE.

Shumë prej pasaportave të rreme besohet se i janë dhënë personave nga shtete me pakicë të konsiderueshme etnike bullgare, duke përfshirë Moldavinë, Maqedoninë dhe Ukrainën.

Disa raporte sugjerojnë se agjencia lëshonte rreth 30 certifikata të dyshimta në një javë.

Prokurorët thonë se po hetojnë punën e agjensisë, e cila akuzohet për marrje ryshfeti, falsifikim dhe shpërdorim detyre.

Lër një koment