Megaoperacioni në Tiranë, ‘shkërmoqet banda’, kapet 1 person, 3 të tjerë në kërkim…

LAJMI-I-FUNDIT-1-1-822x462-4-1-2.jpg

Policia ka vënë në pranga një person ndërsa ka shpallur në kërkim 3 të tjerë.

Një 19-vjeçar u pikas teksa ishte në tentativë për të vjedhur aksesorët e një mjeti, bënë me dije këtë të enjte burime zyrtare nga policia e Tiranës. 19-vjeçari, që përdorte një mjet të vjedhur dhe targa të vjedhura tentoi të largohej, por u prangos gjatë ndjekjes në mbikalimin e Casa Italia-s.

Ndërkohë, policia i ka faturuar të riut dhe personave që bashkëpunonte, 7 vjedhje të tjera të subjekteve dhe kompanive private, të kryera në harkun kohor 7-mujor.

Aksioni

Policia njoftoi se: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të gjurmimit për identifikimin e autorëve të disa vjedhjeve të kryera në harkun kohor të 7 muajve të fundit, rreth orës 03:30, në rrugën “Sokrat Miho”, tek pallatet “Fratari”, kanë konstatuar një djalë, në tentativë për të vjedhur në një automjet tip “Benz”, në pronësi të shtetasit M. K.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke i bërë thirrje të riut për të ndaluar, por 19-vjeçari është larguar me shpejtësi me një automjet “BMË”.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje duke bërë të mundur bllokimin e mjetit bashkë me personin, tek mbikalimi përballë Casa Italia-s.

Nga verifikimet e momentit rezultoi se mjeti drejtohej nga shtetasi E. M., 19 vjeç, banues Kamzë, Tiranë, ndërsa automjeti me të cilin ai qarkullonte ishte vjedhur në Elbasan dhe targat ishin vjedhur në Durrës.

Vjedhjet

Sipas të njëjtave burime, në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga specialistët për krimet e rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6, u bë e mundur zbardhja e një sërë vjedhjesh, të dyshuara se janë kryer nga ky shtetas, në bashkëpunim me tre shtetas të tjerë dhe vijon puna për kapjen e tyre, konkretisht:

  • Më datë 17.06.2019, gjatë orëve të natës në autostradën Tiranë – Durrës, kanë vjedhur një shumë lekësh të xhiros ditore në ambientet e subjekti në administrim të shtetasit G. S.
  • Më datë 01.07.2019, gjatë natës, në rrugë dytësore Kashar, kanë vjedhur me thyerje zyrat e një kompanie në administrim të shtetasit B. Rr, ku kanë marrë një sasi lekësh dhe një sasi të konsiderueshme produkte ëmbëlsirash.
  • Më datë 17.08.2019, në orët e vona të mbrëmjes, në Fushë Mëzez, kanë vjedhur me thyerje shoqërinë në administrim të shtetasit I. L, ku kanë marrë rreth 100 kg materiale bronzi.
  • Më datë 10.11.2019, në orët e para të mëngjesit në rrugën “Ali Kelmendi”, kanë vjedhur zyrën e financës së një shoqërie në administrim të shtetasit O. Q, ku kanë marrë shumën e xhiros ditore prej 400000 lekësh, duke kanosur me leva në duar rojet e sigurisë.
  • Po më datë 10.11.2019, në orët e para të mëngjesit, në rrugën “Ali Kelmendi”, kanë tentuar të vjedhin zyrat e një biznesi tjetër, në administrim të shtetasit A. P.
  • Më datë 15.12.2019, në orët e para të mëngjesit, në Fushë Mëzez, në autostradën Tiranë-Durrës, kanë vjedhur në ambientet e një biznesi ne administrim të shtetasit A. B., një sasi aparatesh celulare të markave të ndryshme.

“Në bashkëpunim me prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminal të këtyre personave. Shërbimet e Policisë vijojnë punën për kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të bashkautorëve të tjerë të këtyre vjedhjeve, për të cilët nuk bëjmë me dije të dhëna për arsye hetimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale ‘Vjedhja’ e kryer në bashkëpunim”, ‘Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publikbndhe ‘Vjedhja’ e mbetur në tentativë”, njoftoi policia

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303