Menaxhimi për 35 vite. Hapet gara për koncesionin e Aeroportit të Kukësit

Ka qenë bashkimi i shoqërive “Kastrati” dhe “T.M.D Systems që ka shprehur interes zyrtarisht duke kërkuar koncesionin dhe qeveria e ka shpërblyer me një bonus në garën që po zhvillohet mbi bazën e projektit të paraqitur.

Aeroporti i Kukësit

Nëse nuk ka shprehje të reja interesi apo nëse ofertuesit e tjerë skualifikohen, atëherë në fund të këtij viti bashkimi i shoqërive “Kastrati” dhe “T.M.D Systems do marrë koncesionin e aeroportit të Kukësit për 35 vjet.

Sipas Top Channel, investimi në total shkon 6,8 milionë euro.

Me këto para do të behet zgjatja e pistës, zmadhimi i ndërtesës së terminalit, ndërtimi i zonave të magazinimit dhe parkimit, ngritja e një pike karburanti për avionë dhe blerja e pajisjeve aeroportuale.

Aeroporti do të ketë qëllim të funksionojë si aeroport për transportuesit me kosto të ulët.

Shoqëritë që kërkojnë koncesionin kanë studiuar trafikun e udhëtarëve në zonat veriore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, me fokus të veçantë emigrantët që vijnë nga këto zona.

Aeroporti i Kukësit ka përfunduar së ndërtuari në 2005, por deri më sot rrotat e asnjë aeroplani nuk kanë prekur pistën e tij.

Drita jeshile operimit iu hap pas ndryshimit në 2016 të marrëveshjes koncesionare për aeroportin e Rinasit, e cila nuk lejonte që të bëheshin fluturime ndërkombëtare nga aeroportet e tjera të Shqipërisë.

Lër një koment