Mentor Kikia publikon videon dhe ironizon: Shqiptarët bëjnë marrëveshje bashkëjetese me virusin

kikia.jpg

Gazetari Mentor Kikia ka publikuar pak më parë një video mbi të cilën ironizon “Shqiprtarët bëjnë marrëveshje bashkëjetese me virusin”.

Statusi i plotë:

Shqiptarët bëjnë marrëveshje bashkëjetese me virusin

Lufta e drejtëpërdrejtë nuk është e efektshme, pasi virusi nuk ka aq burrëri sa të dalë në shesh, por fshihet si skuth, duke sulmuar pas shpine. Ne nxorrëm në rrugë edhe makinat e ushtrisë, autoblindat, bëmë gati edhe tanket, avionët.. jo, ja futa kot, tanke dhe avionë nuk kemi.

Por virusin sërish nuk e kapëm dot.

Tani kemi arritur një marrëveshje. Paradite do të dalim ne në rrugë, pasdite virusi. Kjo u arrit pas bisedimeve shumë intensive në një vilë në Gjirin e Lalëzit, ku zakonisht arrihen marrëveshjet për shuarjen e luftrave. Nga ora 05.00 – 13.00, virusi nuk do të dalë në rrugë. Kështu që ne do të jemi të lirë të dalim, të bëjmë pazaret, të bëjmë vrap, të pijmë kafe me gotë kartoni, por sërish tok, të ndërrojmë ndonjë muhabet, të dalim shëtitje etj. Në orën 13.00 mbaron liria jonë. Këtë e njofton policia me sirena “Oi oi oi oi”, e cila mbledh kopenë dhe fut në vathë. Pastaj del ushtria me armë të rënda. Pasi futemi ne brenda, në rrugë del virusi. Edhe virusi ka lokalet e tij. Ka vendet ku viruset e padukshëm ulen e bëjnë muhabet, merren me thashetheme, bëjnë lloqe e tallen me ne që qëndrojmë në shtëpi. Dhe kështu, edhe virusi bën qejf, edhe ne jetojmë. Ky quhet karantinim me turne, ose bashkëjetesë paqësore.

Mos u habisni, ky skenar mund të jetë i vërtetë.

Kështu siç po e bëjmë ne karantinën, ose ne kemi bërë ndonjë vaksinë e nuk e dimë që jemi më rezistentë se të tjerët, ose virusi po na mban me hatër, ose na ka lënë për budallenj e nuk merret me ne.

Ndryshe nuk shpjegohet që kemi vetëm 400 të infektuar.

P.s: Meqë vjedhjë nuk dënohet këto ditë, unë vodha këtë videon e bërë sot në Tiranë.

 

 

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303