fbpx

Merkatoja e Interit “varet” nga Barça, sot takim i rëndësishëm në Milano

Interi dhe Barcelona do të përballen nesër në mbrëmje në sfidën e fundit në grup në Ligën e Kampionëve, një takim që vlen shumë për zikaltrit, por aspak për katalanët, që e kanë siguruar jo vetëm kualifikimin, por edhe vendin e parë në grup.

Megjithatë një takim më i rëndësishëm pritet të mbahet mbrëmjen e sotme mes drejtuesve të të dy skuadrave, që pritet të diskutojnë gjerë e gjatë për objektivat e merkatos, që duket se ndërthuren mes njëra-tjetrës.

Kjo pasi siç raportojnë mediat spanjolle, zikaltrit kanë kërkuar informacion mbi blerjen e mundshme të njërit mes Arturo Vidal dhe Ivan Rakitiç në janar, ndërsa Barcelona ka dhënë disponibilitetin për të ulur edhe çmimin, por me kushtin që të ketë një kanal preferencial për emra si Stefano Sensi e Lautaro Martinez.

Antonio Conte ka emergjencë në mesfushë dhe u ka kërkuar drejtuesve një ose dy lojtarë të atë repart, për të provuar titullin deri në fund, por ndërhyrja në merkato do të varet shumë nga ecuria në Champions, pasi vetëm në rast kualifikimi janë të nevojshme përforcimet.

Për Rakitic Barcelona ka kërkuar 30 milionë euro, ndërsa për Vidal marrëveshja mund të arrihet për një shifër prej rreth 15 milionë eurosh dhe kileni duket në avantazh, pasi preferohet nga Conte që e ka stërvitur edhe te Juventus.

Nga ana tjetër Barcelona po kërkon një sulmues për të zëvendësuar Luis Suarez, që është në vitet e fundit të karrierës dhe emri që ka bindur më së shumti deri tani është ai i argjentinasit të Interit, Lautaro Martinez.

Ky i fundit ka një klauzolë prishjeje të kontratës me zikaltrit për shifrën e 111 milionë eurove, para këto që Barcelona është gati t’i paguajë, por te Interi po mendojnë rinovimin dhe rritjen e vlerës së klauzolës, ose heqjen fare të saj.

Ndonëse momentalisht jemi vetëm në kuadrin e zërave dhe thashethemeve të zakonshme që paraprijnë çdo sezon merkatoje, një gjë është e qartë, që pas të martës në mbrëmje, Interi do të ketë një tablo më të qartë për atë se çfarë do të kërkojë të bëjë në muajin janar.