Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i bëri thirrje Britanisë dhe Bashkimit Evropian që të tregojnë “kreativitet” dhe “vullnet të mirë” në bisedimet e ardhshme për Brexit, apo daljen e Britanisë nga BE-ja.
“Ne duam të bëjmë gjithçka për të shmangur Brexit-in pa marrëveshje, sepse një gjë e tillë do të rriste pasiguritë”, tha Merkel në një konferencë të përbashkët për media me homologun e Japonisë, Shinzo Abe, në Tokio.
Merkel tha se marrëveshja e divorcit midis Britanisë dhe BE-së është diskutuar me përpikëri dhe se ajo nuk do të rihapet.
Megjithatë, ajo tha se mospajtimet si ato rreth kufirit me Irlandën e Veriut mund të diskutohen në një të ashtuquajtur marrëveshje politike që do ta shoqëronte marrëveshjen për Brexit.
Ligjvënësit britanikë, në janar, e kanë kundërshtuar marrëveshjen që ka arritur kryeministrja britanike, Theresa May, me Bashkimin Evropian.
Mospajtimi kryesor ka të bëjë me kufirin midis Republikës së Irlandës, e cila është anëtare e BE-së, dhe Irlandës Veriore, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.
Mbështetësit e Brexit-it thonë se me marrëveshjen e kryeministres May, Britania do të mbetej e lidhur ngushtë me rregullat doganore të BE-së.
Zyrtarë të BE-së kanë thënë se marrëveshja që tashmë është arritur, nuk mund të rinegociohet.
Britania duhet të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars të këtij viti./real-news.tv/