Merkel: Duam të reduktojmë efektet negative të Brexit

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar se Gjermania dëshiron të minimizojë efektin negativ të Brexit, si në Britani ashtu edhe në Gjermani, nëse Mbretëria e Bashkuar del pa një marrëveshje nga Bashkimi Evropian.

“Ne dëshirojmë të reduktojmë efektet negative në të dy vendet, nëse ndodh një dalje e Britanisë nga BE pa marrëveshje”-ka deklaruar Merkel.

Procesi i Brexit ndodhet tashmë në një pikë kritike. Ndërsa ditët po kalojnë dhe afati i 31 tetorit po afron, duket se Londra dhe BE nuk po bien dakord për një marrëveshje divorci.

Bashkimi Evropian i ka refuzuar propozimet e fundit të bëra nga kryeministri britanik, Boris Johnson. Palët nuk po bien dakord në lidhje me kufirin irlandez dhe mënyrën se si do të funksionojë ky kufi pas daljes së Britanisë nga BE.

Liderët e BE-së kanë deklaruar se propozimet e Britanisë duhen rishikuar, por kanë shtuar se një marrëveshje mund të arrihet, edhe pse duket e vështirë.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka shprehur vendosmëri ta nxjerrë vendin nga BE me çdo kusht, qoftë edhe pa një marrëveshje.

Megjithatë, deputetët britanik kanë aprovuar një ligj që e ndalon kryeministrin ta nxjerrë vendin nga BE pa marrëveshje dhe e detyron atë të kërkojë një shtyrje të afatit të Brexit.

Nga ana tjetër, Johnson ka deklaruar se “më mirë vdes” se sa të kërkojë një tjetër shtyrje të Brexit.

Mbetet për t’u parë se si do shkojë procesi i komplikuar i Brexit./real-news.tv/