Merr detyrën presidenti i ri i Kroacisë

Presidenti i ri i Kroacisë, Zoran Millanoviç, mori të martën detyrën nga paraardhësja e tij, Kolinda Grabar Kitaroviç.

Ai e bëri betimin, duke u zotuar se do t’iu shërbejë qytetarëve kroatë “me ndërgjegje dhe përgjegjësi”.

“Republika jonë ka nevojë për çdo njeri. Secilit duhet t’i jepet mundësia të jetojë me dinjitet dhe paqe nga puna e tij”, tha Millanoviç.

Ai tha se nuk e ka ndërmend “të jetë një faktor korrigjues, por një faktor konstruktiv”.

“Do të jem i përkushtuar, transparent, i qëndrueshëm. Në politikën e jashtme, do të përqendrohem në pikat që mund të ofrojnë siguri dhe begati”, tha Millanoviç.

Millanoviç mundi Grabar Kitaroviç në zgjedhjet e 5 janarit.