fbpx

Merr fund makthi i kafshëve, mbyllet “Safari Park”

1539788910_inspekt2.jpeg

Gjatë aksionit për vaksinimin dhe zhvendosjen e kafshëve nga kopshti zoologjik

Pas cilësimit të kopshtit zoologjik në Fier si “Kopshti zoologjik i ferrit”, një reagim lidhur me gjendjen në të cilën ndodhen kafshët ka ardhur edhe nga ministri i Mjedisit, Blendi Klosi.

Në një status në Facebook, Klosi njofton se ka urdhëruar nisjen e një aksioni nga Inspektoriati i Mjedisit, Policia e Shtetit dhe Shoqata për Mbrojtjen e kafshëve, për të bërë zhvendosjen e kafshëve nga ky kopsht dhe për t’i marrë ato në mbrojtje.

Në përgjigje të lajmit të publikuar në Daily Mail dhe dhjetëra mesazheve për situatën e papranueshme, ku jetojnë disa kafshë në një kopsht zoologjik privat në Fier, urdhërova urgjentisht nisjen e një aksioni nga Inspektorati i Mjedisit, i cili në bashkëpunim me Policinë e Fierit dhe Shoqatën për Mbrojtjen e Kafshëve kanë vendosur të zhvendosin kafshët me qëllim marrjen e tyre në mbrojtje nga kjo e fundit.

Një ditë pas publikimit të këtij skandali, ministria e Turizmit dhe Mjedisit thotë se pas verifikimit të situatës dhe kushteve në lokalin “Safari Park” u vendos masa e pezullimit të aktivitetit dhe zhvendosja e kafshëve drejt qendrave të specializuara të rehabilitimit, brenda 10 ditësh.

Situata në lokal ka qenë kritike dhe për këtë arsye, në muajin korrik, një grup veterinerësh dhe vullnetarësh nga fondacioni austriak “4Putrat” dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura vizituan kafshët e egra në lokalin “Safari”, në Fier.

Pas verifikimeve të specialistëve, kafshët janë vaksinuar dhe kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Lidhur me këtë situatë veterinerja Kornelia Kokona thotë se në këtë park, kafshëveve dhe sidomos luanit i ka munguar kujdesi që duhet treguar, sidomos ai shëndetësor.

Veterinerja shton se kafshët duhen mbajtur në habitatin e tyre. Kokona sjell shembujt se në vendet e tjera ballkanike janë krijuar zona pyjore të rrethuara që stimulojnë habitatin e kafshëve por që janë të mbrojtura.

Sa i përket lokalit, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit Safari Park është në pronësi të Lavdimir Osmenit dhe e ka nisur aktivitetin në vitin 2006.

Si objekt të aktivitetit tregtar lokali ka Import-Eksport të të gjitha llojeve të produkteve industriale dhe ushqimore, tregtim, import, eksport të materialeve te ndërtimit, si dhe hapje të një këndi lojrash për fëmijë. Por në asnjë rresht në objektin e aktivitetit nuk përmendet kopshti zoologjik. Skandali thellohet edhe më shumë pasi kjo situatë ka ndodhur nën hundën e autoriteteve përgjegjëse të cilat e kanë licensuar këtë park privat që të vizitohet përditë nga familjarë dhe fëmijët e tyre.

Pas verifikimit të shkeljes ndaj lokalit u vendos masa e pezullimit të aktivitetit dhe zhvendosja e kafshëve drejt qendrave të specializuara të rehabilitimit, brenda 10 ditësh.

Problematika e mbajtjes së kafshëve në gjendje robërie ka qenë pjesë e kontrolleve të bëra nga ministria e Mjedisit, që në vitin 2015, kur ka filluar procesi i shpëtimit të arinjve që mbaheshin në gjendje robërie nga biznese të caktuara.

Në vitin 2017 Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nisi një aksion kombëtar për inspektimin e të gjitha lokaleve, që mbajnë dhe ekspozojnë kafshë në kushte robërie, apo kafshë të balsamosura, për qëllime biznesi. Inspektime që vijojnë edhe sot me rezultate konkrete.

Pas verifikimeve të specialistëve, kafshët janë vaksinuar dhe kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *