Mesazhe ngushëllimi për George HW Bush nga liderë botërorë

download-12.jpg

Presidenti francez Emmanuel Macron ka përcjellë ngushëllimet e tij për ish presidentin George HW Bush, duke e përshkruar atë si një “udhëheqës botëror, i cili mbështeti fort aleancën me Europën”

“Në emër të popullit francez, përcjell të gjitha ngushëllimet e mia për popullin amerikan për humbjen e ish-Presidentit Xhorxh Bush. Ai ishte një udhëheqës botëror, i cili mbështeti fort aleancën me Europën. Keqardhje për familjen dhe të dashurit e tij”-shkroi presidenti francez.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe Theresa May ka thënë se ” shërbimi publik i George HW Bush ishte udhëzues i jetës së tij dhe një shembull për të gjithë ne”.

Në një deklaratë, ajo tha: “Që nga shërbimi në Luftën e Dytë Botërore, në administrimin e CIA-s dhe në drejtimin e Luftës së Gjirit si komandant i përgjithshëm dhe në përfundimin paqësor të Luftës së Ftohtë ai e bëri botën një vend më të sigurt për gjeneratat që do të vijnë. Në çdo fazë të karrierës së tij të shquar, presidenti ka punuar krah për krah me miqtë, kolegët dhe homologët e tij në Mbretërinë e Bashkuar.

Sot Britania kujton një burrë shteti të madh dhe një mik të vërtetë të vendit tonë. Ne i dërgojmë ngushëllimet tona më të thella popullit amerikan dhe familjes që ai la pas,” tha May.

Ish-udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev i thuri lavde presidentit të ndjerë George HW Bush, për rolin e tij në dhënien fund të Luftës së Ftohtë, madje duke e quajtur atë “një partner të vërtetë”.

“Shumë prej kujtimeve të mia janë të lidhura me atë njeri. Kemi pasur mundësinë të punojmë bashkë gjatë një epoke të ndryshimeve të jashtëzakonshme. Ajo ishte një epokë dramatike që kërkonte përgjegjshmëri të madhe nga cilido. Rezultati ishte pikërisht fundi i Luftës së Ftohtë dhe garës së armatimit. Ai ishte një partner i vërtetë”-, shton Gorbachev.

 

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303