Meta: Ja si 9 vite më parë GJND rrëzoi Serbinë për Kosovën

Presidenti i vendit, Ilir Meta përmes një statusi në Facebook përkujton vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila njohu aktin e shpalljes së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Vendimi historik, sipas Presidentit ishte njëkohësisht vlerësim për sakrificat e atyre që luftuan e nuk bënë asnjë kompromis në kurriz të Kosovës.

Atëherë në postin e ministrit të Jashtëm, Meta thotë se ka punuar fort për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosvës, si shtet i lirë dhe i pavarur.

STATUSI I PLOTE
Nëntë vite më parë, pretendimit serb mbi paligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës🇽🇰, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha fundin e merituar, duke njohur aktin e shpalljes së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës🇽🇰 në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.
Ky vendim historik ishte njëkohësisht njohje dhe vlerësim ndaj sakrificave sublime të të gjithë atyre që nuk iu nënshtruan spastrimit etnik dhe nuk bënë asnjë kompromis me të drejtën e patjetërsueshme të qytetarëve të Kosovës🇽🇰, për të jetuar të lirë dhe në paqe si të gjithë europianët e tjerë.
Ishtë kënaqësi për mua ta përjetoja këtë moment historik si Ministër i Jashtëm, asokohe i një qeverie që bëri më të mirën për të forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës🇽🇰.
Kosova🇽🇰 si shtet i lirë dhe i pavarur është realitet i pakthyeshëm që ka kontribuar për më shumë paqe, siguri dhe stabilitet në rajonin tonë.