fbpx

Meta kujton 8 gushtin e 1944, kongresi i parë i rinisë antifashiste: Koha që rinia të angazhohet më fort

76 vite më parë, 8 gushtin e vitit 1944, rreth 300 të rinj antifashistë u mblodhën në malet e Skraparit për të nisur Kongresin e Parë të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë. Këtë datë e ka përkujtuar sot Presidenti i Republikës Ilir Meta në një postim në Facebook. Meta jep një mesazh të fortë duke theksuar se është momenti të kërkojmë një angazhim më të fortë të rinisë në mbrojtje të lirisë dhe rrugës europiane.

MESAZHI I PRESIDENTIT META

Në 8 gusht të vitit 1944 rreth 300 të rinj antifashistë u mblodhën në malet e Skraparit të çliruar për të nisur Kongresin e Parë të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë.

Delegatët vinin nga mbarë vendi, nga zonat e çliruara dhe ato ende të pushtuara, nga formacionet partizane dhe shkollat e mesme që ishin kthyer në qendrat kryesore të antifashizmit në Shqipëri.

Atë ditë, delegati më i ri, partizani Sabri Godo, pas një udhëtimi pafund në këmbë për ditë të tëra do festonte 15-vjetorin e tij. Ishin kohë të mëdha idealesh për Liri.

Kërkoheshin sakrificat më sublime dhe Rinia e Shqipërisë nuk i kurseu ato deri në çlirimin e plotë të vendit.

Duke nderuar sot me përulësi sakrificat e jashtëzakonshme të asaj gjenerate të jashtëzakonshme, është momenti të kërkojmë një angazhim më të fortë të rinisë tonë në mbrojtje të lirisë dhe rrugës europiane të vendit. 🇦🇱🇪🇺