Meta në Strasburg, takon zyrtarin: E domosdoshme misioni i Kongresit në Shqipëri

Presidenti i Republikës, Ilir Meta po zhvillon takime në Strasburg me drejtues të Kongresit të Autoriteteve Vendore.

Meta ka takuar ditën e sotme Sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, z.Andreas Kiefer.

Presidenti shkruan se me Kieferin është dakordësuar për domosdoshmërinë e një misioni të Kongresit në Shqipëri në një kohë sa më të afërt.

“Takim konstruktiv në Strasburg me Sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, z.Andreas Kiefer. Shkëmbyem mendime të vlefshme për mbështetjen që Kongresi mund të japë në kapërcimin e krizës së qeverisjes vendore në Shqipëri pas 30 qershorit, në përmbushjen e standardeve demokratike që vendet anëtare të këtij institucioni, sikundër është vendi ynë, janë të obliguar të respektojnë dhe për ndërmarrjen e hapave konkretë nga ana e Kongresit në këto drejtime. U dakordësuam për domosdoshmërinë e një misioni të Kongresit në Shqipëri në një kohë sa më të afërt. Demokracia në radhë të parë është vendore”, shkruan Meta.