Meta s’dekretoi Gjinushin/ Akademia e Shkencave…

Një ditë pasi presidenti Ilir Meta refuzoi emërimin e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave, vetë ASH ka reaguar me një deklaratë zyrtare ku thotë se do të mbledhë asamblenë e saj për t’i kërkuar kreut të shtetit të shqyrtojë edhe njëherë këtë vendim.

Akademia e Shkencave e quan të pavlefshëm aktin e presidentit, të konsideruar në kundërshtim me ligjin. Ajo hedh poshtë pretendimet e ngritura nga presidenti se Gjinushi nuk ka bërë publike tërheqjen nga drejtimi i Partisë Social Demokrate gjatë kohës që kandidonte për postin e kreut të Akademisë së Shkencave.

ASH shprehet se ka konstatuar se është krijuar një ngërç juridik duke qenë se nga njëra anë kemi një kryetar të zgjedhur nga asambleja me vendim të formës së prerë i cili ende nuk është emëruar.

Skënder Gjinushi u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave me 35 vota pro dhe 6 kundër. Ai garoi i vetëm në këto zgjedhje.

I ftuar në studion e Repolitix mbrëmjen e djeshme, Gjinushi e quajti vendimin e Metës hakmarrje të këtij të fundit. dikur aleat dhe sot në postin e kreut të shtetit.

Njoftimi i plotë i ASH

Këshilli Ekzekutiv pasi u njoh me dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11223 daë 11.07.209 konstatoi:

Pavlefshmërinë absolute të këtij dekreti si akt i dalë në kundërshtim flagrant me ligjin; mungesën e çdo mjeti ligjor me ligjin e ASH për të vepruar pas një refuzim emërimi; ngërçin juridik të krijuar midis faktit se kemi një Kryetar të zgjedhur nga Asambleja e ASH me një vendim të formës së prerë, pra të pacenueshëm e ndërkohë të paemëruar; faktin se pengesa e vetme për emërimin e kryetarit të zgjedhur, sipas arsyetimit të dekretit është mos bërja efektive e dorëheqjes para kandidimit më datë 24.05.2019 çka nuk është e vërtetë.

Vendosi të mbledhë Asamblenë e ASH, për të shqyrtuar e miratuar propozimin e Këshillit Ekzekutiv për t’i kërkuar Presidentit të Republikës rikonsiderimin e emërimit të Kryetarit të zgjedhur nga ajo Asamble më datë 24/05/2019.