‘Mifoli në aksion’, sekuestron drogë, armë dhe municione, procedon 2 kryepleqtë

Një operacion i koduar “Mifoli”, i policisë së Vlorës, ka bërë të mundur sekuestrimin e lëndëve narkotike, një armë zjarri dhe municione si dhe ka vënë në pranga 2 shtetas, ndërsa ka shpallur në kërkim 1 tjetër.

Gjithashtu, policia ka proceduar penalisht edhe dy kryepleq të fshatrave Mifol dhe Aliban, përkatësisht shtetasit N.D dhe Dh.N, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, në kuadër të operacionit “Mifoli” si dhe në vijim të kontrolleve territoriale kundër kultivimit të bimëve narkotike është konstatuar se në fshatin Aliban pranë Novoselës ishin mbjellë disa bimë kanabis sativa të cilat u asgjësuan menjëherë.

Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. L., 44 vjeç banues në fshatin Mifol dhe Th. N., 53 vjeç, banues në fshatin Aliban.

Si dhe u shpall në kërkim një shtetas tjetër i implikuar në ngjarje, E. L., 33 vjeç, banues në fshatin Mifol, Vlorë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A.L në Mifol, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

  • 13 kilogramë lëndë narkotike kanabis.
  • një armë zjarri automatik
  • 30 fishekë.

Në vijim të veprimeve proceduriale, Policia ka proceduar penalisht për “Shpërdorim detyre” shtetasit N.D dhe Dh.N, me detyrë kryepleq në fshatrat Mifol dhe Aliban.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.