Miliona persona po përballen me uri në Zimbabve

Kombet e Bashkuara kanë rritur alarmin për Zimbabven, duke deklaruar se më shumë se pesë milion njerëz, rreth një e treta e popullsisë, kanë nevojë për ndihmë ushqimore.

Programi Botëror për Ushqim ka kërkuar një fond prej 331 milionë dollarëve, teksa ky shtet përballet me efektet e thatësisë, të një cikloni si dhe krizë ekonomike.

Udhëheqësi i këtij Programi, David Beasley, ka thënë se shumica e këtyre personave janë në “krizë urgjente dhe po përballen me uri të skajshme”.

Ky shtet është duke u përballur me këtë situatë, pasi korrjet e fundit të grurit janë prekur keq nga thatësia dhe çmimi i ushqimit është rritur.

Nivelet e ulëta të ujit po ashtu kanë goditur hidrocentralet në Kariba, duke rezultuar me ndërprerje të energjisë elektrike.

Teksa ka nisur thirrjet për fonde të martën, Beasley ka thënë se rreth 2.5 milionë persona janë në prag të përballjes me urinë.

Problemet e Zimbabvesë janë rritur kur Cikloni Idai ka prekur rajonin më herët gjatë këtij viti.

Stuhia e fuqishme që ka përshirë edhe Malavinë dhe Mozambikun, ka lënë pa shtëpi mijëra persona në Zimbabve.

Të martën, presidenti Emmerson Mnangagwa, ka shpallur thatësinë si katastrofë kombëtare.

Kombet e Bashkuara veçse kanë qenë duke mbledhur 294 milionë dollarë për këtë shtet, mirëpo tani kanë thënë se iu duhen më shumë të holla për shkak të ndikimit të thatësisë.

Vendi po përballet gjithashtu me një krizë financiare dhe ka rikthyer dollarin e Zimbabve një dekadë pasi u braktis në mes të inflacionit të shfrenuar./real-news.tv/