Ministri dorëzohet përballë studentëve, tërheq vendimin për bursa

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka tërhequr vendimin e shpallur ditë më herët për ndarjen e bursave, për të cilin vendim studentët e Fakultetit të Edukimit, Artit dhe Edukatës Fizike kanë mbajtur protesta.

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, bëri të ditur se po e tërheqin vendimin për shkak të presionit, por megjithatë sipas tij, vendimi ka qenë i drejtë.

“Niveli i bursistëve dhe përzgjedhja e bursistëve bëhet nga ana e universiteteve. Bursat të cilat i ndan MAShT nuk janë gjithëpërfshirëse. Pikërisht shpallja publike është bërë përmes një analize, ka një vit që Ministria ka bërë analiza. Asnjë shkencë sociale nuk është përfshirë në listë, nuk ka të bëjë me diskriminim përveç duke e kuptuar qartë mungesën e kuadrove në këto programe. Jemi të vendosur se ky vendim ka qenë i drejtë dhe në rrethana të cilat jemi, të anulojmë vendimin deri në ardhjen e ministrit të ri. Ne po e bëjmë tërheqjen e vendimit pasi jam ministër në largim, në anën tjetër nuk do të merrej ky vendim se është vendim i drejtë”, tha ai.