Ministri gjerman Roth: JO-ja për Shqipërinë dhe MV gabim historik i BE, po i hap rrugën…

6365d2fac6ed84c74b92157b3b474cf3_L.jpg

Në një opinion të tij për gazetën gjermane ’Die Welt’, ministri gjerman për Çështjet Europiane, Michael Roth foli mbi vendimin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe shpalosi këndvështrimin e tij, si ministër.

Roth deklaroi se BE është koshiente mbi përparimin që ka bërë Shqipëria dhe RMV.

Sipas tij, Brukseli e di mirë se ato kanë përmbushur kushtet dhe tashmë i përkasin Europës prandaj do të ishte fatale nëse në lojë futen aktorë të tjerë dhe hapësirën e tyre e zënë  Rusia, Kina apo Turqia.

‘Bashkimi Europian e tha fjalën e tij, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur kushtet e përcaktuara nga Brukseli dhe ato i përkasin Europës, kështu që është fatale të lëmë hapësirën për aktorë të tjerë si Rusia, Kina apo Turqia’, deklaroi Roth.

Sipas ministrit, vendimi i BE për të mos i dhënë dritën jeshile Shqipërisë dhe MV-së është i gabuar dhe në dëm jo vetëm të këtyre dy vendeve por edhe të vetë BE.

Roth citon presidentin në largim të Komisionit të BE-së, i cili e konsideron gabim historik mbylljen e derës europiane për këto dy vende.

”Ne duhet të reformojmë Bashkimin Europian. Por, thellimi i vonuar i BE-së nuk është në kontrast me zgjerimin e tij. Një Bashkim Europian më i madh, që është në të njëjtën kohë më i aftë, më sovran dhe më demokratik, mund të krijojë më shumë siguri për njerëzit e tij.

Prandaj, presidenti në largim i Komisionit të BE-së, Juncker, ka mjaft të drejtë kur thotë se ”është një gabim historik që liderët e BE-së refuzuan më 18 tetor dritën jeshile për përfshirjen e planifikuar të bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, shtoi Roth.

Sipas ministrit gjerman, JO-ja për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vuri në pikëpyetje edhe faktin nëse BE mban apo jo premtimet, që deri tani kjo ishte e padiskutueshme.

‘Kjo dështoi për shkak të unanimitetit të kërkuar. Shtyrja e një votimi pozitiv shkaktoi një habi si në Ballkan ashtu edhe në BE, sepse BE-ja u qëndron fjalëve’, tha ai.

Sipas Roth, vendimi i BE për këto dy vende po i hap rrugën shteteve si Rusia, Kina apo Turqia, që nuk kanë aspak në synimin e tyre forcimin e demokracisë apo shtetit të së drejtës.

‘Kur BE i kthen shpinën Ballkanit Perëndimor, ajo ia lë hapësirë aktorëve të tjerë, si Rusia, Kina apo Turqia, ku interesi i tyre kryesor, sigurisht që nuk është forcimi i demokracisë dhe shteti i së drejtës’, shtoi Roth.

Roth bën me dije se ky ndryshim i papritur demton besueshmërinë e BE dhe mund të degjenerojë deri në nacionalizëm dhe shpërthimit të plagëve të vjetra dhe konflikteve etnike.

‘Ndryshimi i përsëritur dëmton besueshmërinë e BE-së. Në Rajon, fuqizon ato forca që nuk kanë asnjë interes për reformë dhe përparim. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zaev, tashmë ka njoftuar dorëheqjen e tij dhe zgjedhjet e reja për në muajin prill. Ekziston rreziku i një rikthimi në nacionalizëm dhe shpërthimit të plagëve të vjetra dhe konflikteve etnike’, tha ai

Roth i bën thirrje Brukselit se në pranverën e 2020-ës kjo temë duhet të vijë përsëri në vëmendjen dhe axhendën e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. Por këtë herë nuk ka vend për papërgjegjshmëri.

‘Në pranverën e vitit 2020, kjo temë duhet të vijë përsëri në axhendën e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. Atëherë patjetër duhet ta sqarojmë se i përmbahemi perspektivës së pranimit. Vonesat e mëtejshme do të ishin të papërgjegjshme”, bëri me dije Roth.

Ministri i bën thirrje edhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të vazhdojnë përpjekjet e tyre për reforma. Dhe ti japin një sinjal të mirë të gjithë skeptkëve.

‘Ndërkohë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për reforma. Ky është sinjali më i mirë për të gjithë skeptikët. Në të njëjtën kohë, ne duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë me BE-në dhe të sqarojmë se si t’i tejkalojmë rezervat e shteteve anëtare!

Mund t’i ndihmojmë ata me ekspertë, në mënyrë që të çojnë përpara reformat e nevojshme. Si pjesë e procesit të Berlinit, ne duhet të jemi edhe më të përfshirë dhe të investojmë më shumë në bashkëpunimin rajonal”, përfundon ministri gjerman për Çështjet Europiane’, Michael Roth.

scroll to top