Ministrja franceze e quan maçokun e saj ‘Brexit’

Ministrja franceze për çështjet evropiane thotë se e ka quajtur maçokun e saj “Brexit” për shkak të natyrës së tij të pavendosur.

Nathalie Loiseau i tha ”Le Journal du Dimanche” se maçoku i saj mjaullin me zë të lartë për të dalë çdo mëngjes, por pastaj refuzon të dalë jashtë kur i hap derën.

“Ai më zgjon çdo mëngjes, mjaullin aq shumë sepse dëshiron të dalë, dhe pastaj kur i hap derën ai qëndron në vend, i pavendosur, dhe pastaj më sheh me inat kur unë e nxjerr jashtë,” tha ministrja Loiseau.

Komentet nga përfaqësuesja e qeverisë franceze vijnë përpara se krerët e BE-së të marrin një vendim nëse do të zgjasin periudhën e bisedimeve për Brexit me kërkesën e Britanisë së Madhe. Gjithashtu, këtë javë marrëveshja e tërheqjes që kryeministrja britanike Theresa May ra dakord me BE do të votohet në parlamentin britanik për të tretën herë, pasi është refuzuar dy herë nga ligjvënësit./real-news.tv/