Mishi dhe peshku shiten në rrugë, askush nuk merr masa

Fiks Fare, ka denoncuar për të disatën herë rastet e therjeve të kafshëve nëpër rrugë, në kushte skandaloze dhe të pakontrolluar.

Kjo situatë duket se akoma nuk ka gjetur zgjidhje, ndërkohë që ai që vihet në rrezik është shëndeti i konsumatorit.  Fiks Fare në vëzhgimin e tij në disa qytete solli sërish pamje të therjeve të kafshëve jashtë kushteve higjienike, të pakontrolluara, anash rrugës dhe për më tepër pa pranin e veterinerëve.

Fillimisht Fiks Fare, vëzhgoi tregun e Rrogozhinës, një treg i sajuar, ku përveç gjësë së gjallë aty shitej edhe mish i pakontrolluar. Kasapët thernin kafshët nëpër fugon e në anë të rrugës, ku mungonin kushtet minimale të higjienës, ujë i rrjedhshëm apo ambientet frigoriferike. Përveç mishit në këtë treg tregtoheshin edhe nënproduktet e mishit në rrugë mes pluhurit.

Dikush nga tregtarët për të vërtetuar që mishi nuk kishte probleme edhe pse nuk ishte i kontrolluar e ha të gjallë një copë të tij. Tregtia e mishit në këto kushte bëhej në prezencën e policisë bashkiake të Rrogozhinës,  të cilët as që ndërhynin fare për ndalimin e tregtimit të mishit në kushte skandaloze.  Rasti i vetëm që kjo polici ndërhyri ishte një tregtar peshku nga Shkodra që shiste peshk. Kundrejt tij u vu një gjobë dhe u detyrua të largohej sëbashku me mallin që shiste.

Gazetarët e Fiks Fare zhvilluan disa biseda me tregtarët, të cilët tregonin se edhe pse ata i kishte gjobitur AKU -ja vazhdonin të tregtonin jashtë kushteve dhe për asnjë moment nuk e kishin ndërprerë punën.

Fiks Fare,  solli rastin edhe të një kasapi nga Vlora, i cili i therte bagëtitë në anë të rrugës në Vranisht. Kasapi pasi i blinde bagëtitë banorëve të zonës i priste në rrugë e më pas i transportonte me fugonin e mësuesve për në dyqanin e tij në Vlorë. I pyetur nga bashkëpunëtorët e Fiksit se nuk kishte frikë që e transportonte mishin në atë mënyrë ai u shpreh “ E kush pyet për ata”.  Mishi i pakontrolluar pasi transportohej në dyqanin e zotërisë, dilte direkt në shitje për konsumatorin.

Në Durrës  kamerat e Fiks Fare xhiruan një tregtar peshku i cili biçikletën  e tij e kishte transformuar në një “dyqan” lëvizës peshku . peshku ishte i vendosur në disa  arka të cilat nuk kishin akull dhe peshku tregtohej në anë të rrugës.  Ai tregon se ka  17 vite që tregtonte peshkun në këto kushte, ndërsa pretendonte se kishte leje si tregtar ambulant nga Bashkia Durrës.

E njëjta situatë është edhe  në Kavajë, tregtarët e mishit shesin mishin pa vula dhe jashtë kushteve në anë të rrugës dhe mbi trotuare. Tregtarët e pranojnë se shesin jashtë kushteve, ndërsa shprehen se ” Kavajë hesapi”, duke nënkuptuar se askush nuk i kontrollon ata.

Ndërsa në Shkodër përveç tregtimit të peshkut në kushte të papërshtatshme , tregtarët shisnin edhe rosa të egra. Të vetëdijshëm se  gjuetia është e ndaluar me ligj rosat e egra tregtoheshin ngjitur me peshkun pa u shqetësuar nga askush. Madje si shërbim kundrejt një pagese të ofronin edhe pastrimin e rosave në mes të rrugës. TCH