fbpx

Mjekja psikiatre komenton tragjedinë: Ja indikatori për vetëvrasjen e Zhanetës dhe Anisës

Mjekja psikiatre Arjana Rreli ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Kombinat, ku u gjetën të vdekura nënë e bijë, Zhaneta dhe Anisa Josifi. Ajo tha për News24 se dy viktimat së bashku me të mbijetuar e vetme, Blertën kishin probleme të shëndetit mendor.

Sipas saj, këtu kemi të bëjmë me një psikozë familjare që ka startuar herët. Rreli theksoi se mjedisi i mbyllur e ka amplifikuar këtë mendim duke e shndërruar në diçka normale.

Të tria mendoj se kanë vuajtur nga probleme të shëndetit mendor. Situata ka degraduar kaq shumë sa ka çuar në një fund që është jo vetëm kaq tragjik por dhe shumë bizar, ka dhe çudinë, egërsinë dhe paradoksalitetin. Mendoj që kemi të bëjmë me një psikozë familjare e cila duket se ka startuar herët. Vdekja e babait është një indikator që të çon brenda asaj që brenda psikozës së kësaj familje ka qenë dhe vetëvrasja. Nuk e di se sa ndikim mund të ketë pasur bindja e tyre fetare por gjithë ky lloj paradoksaliteti dhe absurditeti në këtë ngjarje mendoj se ka pasur një psikozë që ka pararendur nga një nga anëtarët e familjes. Duke qenë se mjedisi i tyre ka qenë i mbyllur ka qenë si një enë me presion dhe është amplifikuar ky mendim dhe fillon besohet si një gjë normale

Ajo tregoi se në raste të caktuara besimi ka ndihmuar tek ata që kanë qenë në depresion. Rreli nuk u shfaq optimiste për kurimin e psikozës tek e mbijetuara e tragjedisë, Blerta.

Eksperiencat e mia janë në fakt dëshira për jetën. Unë kam parë besimtarë myslimanë që edhe pse kanë qenë të zhytur në depresion feja ka qenë një pikë e mirë referimi për faktin se nuk duhet të shkoj se e dënon Zoti. Blerta e ka përjetuar si normalitetin e vet gjithë këtë situatë. Këtu është më e vështirë të trajtosh psikozën, bindjen që ajo ka se si një njeri mund të flijohet. Është me vështirë të trajtosh psikozën se atë që ka kaluar. Psikoza duket se ka lëshuar rrënjë të mira, jam pak skeptike se çfarë mund të ndryshojë. Jemi përpara këtij personi që është e bindur në psikozën e saj. Ndërhyrja e vetme janë medikamentet ku shpresohet të zbutet psikoza. Patjetër duhet psikoterapeuti, punonjësit socialë. Psikoza është bindje ndaj një realiteti që nuk ekziston dhe që me gjithë faktet që bashkëbiseduesi sjell nuk ndryshon sepse ai është aq i bindur në atë që beson sa nuk pranon asgjë. Është një sëmundje që ka të bëjë me mënyrën e të menduarit dhe është një nga çrregullimet më të rënda që hasim