13.5 C
Tirana
E martë, 28 Maj, 2024

TË FUNDIT

Mjerimi në art dhe kulturë mbledh artistët, ftesë Kumbaros për të diskutuar mbi fondet e projekteve dhe mungesën e transparencës

spot_img

Problemet në art dhe kulturë, mjerimi me buxhetet, ligji i artit, mungesa e transparencës në Ministrinë e Kulturës, investimet që mungojnë, etj, do të diskutohen këtë herë në forumin që do të organizojë Skena e Pavarur Kulturore. Një takim që do të mbledhë artistët, por SPK i ka çuar ftesë dhe ministres së Kulturës Mirela Kumbaro. Në forumin vjetor të Skenës së Pavarur Kulturore (SPK), që deri tani është pohuar se do të zhvillohet më 17 janar janë ftuar të marrin pjesë edhe drejtues të institucioneve të artit. Sipas Andi Tepelenës përfaqësues i skenës së pavarur, ky event do të jetë një mundësi e mirë për dialog dhe shkëmbim përvojash, si dhe për arritjen e konkluzioneve që do të shërbejnë në të ardhmen për fuqizimin e rrjetit të Skenës së Pavarur Kulturore, me qëllim zhvillimin e sektorit të kulturës dhe rritjen e vëmendjes së politikave kulturore ndaj skenës së pavarur. “Ne jemi të bindur që diskutimet mbi zhvillimet e artit dhe kulturës duhet të përfshijnë të gjitha grupet e interesit të sektorëve të kulturës në mënyrë që të arrihet një konsensus social në zhvillimin e kulturës në Shqipëri. Ne jemi të interesuar të dëgjojmë të gjitha pikëpamjet mbi modelin kulturor që duhet të ndërtohet në Shqipëri”, pohon Tepelena në një reagim të tij. Për Andi Tepelenën problemet shtohen më shumë kur shikon se jo vetëm që mungon një strategji nga Ministria e Kulturës, por ka mungesë transparence dhe fondet janë të pakta. “Mungon nga Ministria e Kulturës një strategji afatgjatë për ta nxjerrë skenën nga kjo gjendje. Shtuar mungesën e transparencës në shpërndarjen e atyre fondeve me pikatore. E gjitha kjo prodhon frustrim dhe mungesë kreativiteti te artistët dhe skena e pavarur në tërësi”, vijon Tepelena. Për skenën e pavarur kulturore flitet jo pak, dhe sipas Tepelenës përfaqësues i SKP kur kërkohet më shumë vëmendje, transparencë dhe buxhete nga Ministria e Kulturës për të zhvilluar jetën artistike politikat që ndiqen lënë për të dëshiruar. “Nuk ka vëmendje për skenën dhe as vullnet politik për ta përmirësuar. Një mjerim në art, institucione me probleme, etj. Politikat e ministrisë deri tani nuk kanë qenë për zhvillimin e skenës së pavarur. Në fund ne do të dalim me një strategji nga ky takim”, thotë Tepelena. Takimi pritet të zhvillohet në galerinë “Kalo”. Objektivat e skenës së pavarur Në forumin që pritet të zhvillohet do të jetë një analizë e zhvillimeve kulturore të skenës së pavarur në 2017. Qasja e SPK-s ndaj institucioneve dhe publikut, dhe vëmendja e politikave kulturore ndaj skenës së pavarur. Në materialin e bërë publik Forumin që pritet të zhvillohet pas disa ditësh dhe do të bëjë bashkë artistët e skenës së pavarur dhe ata të institucioneve thuhet mes të tjerave se objektivat strategjikë të Skenës së Pavarur Kulturore janë dhe rishikimi i Ligjit për Artin dhe Kulturën i cili ka mangësi të theksuara ligjore dhe praktike. “Rikthimi i Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës (QKAK) si një instrument i cili do të shkëpuste krijimtarinë e lirë nga vendimmarrja politike. Rritja e fondit për kulturën në nivel kombëtar i cili nuk e kalon pragun e 0/5 përqind të buxhetit të shtetit dhe është më i ulëti në rajon dhe në Europë. Rritja e transparencës në nivel qendror dhe lokal, dhe ngritja e strukturave/ mekanizmave që sigurojnë përfshirjen aktive të grupeve të interesit në përcaktimin e prioriteteve dhe fondeve për këtë qëllim”, thuhet mes të tjerave në njoftimin e SKP. Sipas përfaqësuesve të SPK takimi do të finalizohet me nënshkrimin e marrëveshjes së rinovuar të organizatave anëtare. Moderatorë të tij do të jenë Ilda Mara dhe Andi Tepelena. Skena e Pavarur Kulturore (SPK) është rrjeti më i madh kulturor në Shqipëri, i përbërë nga organizatat ndër aktivet që operojnë në fushën e artit dhe kulturës. Ky rrjet është krijuar më 4 Maj 2013 dhe ka si qëllim kryesor të ndërtojë një skenë kulturore të qëndrueshme. SPK synon decentralizim të prodhimit kulturor; bashkëpunim të vazhdueshëm midis organizatave kulturore; zhvillim të audiencave në sektorin e pavarur kulturor; advokim për modele që nxisin transparencën dhe pjesëmarrjen në politikat kulturore.

spot_img

Latest Posts

spot_img

Më të lexuarat