“Mos i dërgoni fëmijët direkt në QSUT”. Manastirliu jep lajmin, ja ç’do ndodhë nga 1 tetori

WhatsApp-Image-2020-09-25-at-1.37.16-PM-768x679.jpeg

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka qenë ditën e sotme në qendrën shëndetësore të Laprakës.

Ajo ka dhënë një lajm të rëndësishëm, ku nga 1 tetori do të jenë 4 qendra shëndetësore në Tiranë në dispozicion të pacientëve 24 orë në ditë.

“Duke filluar nga 1 Tetori, katër qendra shëndetësore në Tiranë që do të ofrojnë, me ekipe të përforcuara, shërbim ditë-natë për përballimin e periudhës së vjeshtë-dimrit për urgjencat pediatrike. Me vendimin tonë për të garantuar shërbimin 24 orë pa ndërprerje afër vendbanimit, synojmë të shmanget fluksi në QSUT gjatë natës”, tha Manastirliu.

Duke garantuar se shërbimi në qendrat shëndetësore 24 orëshe ofrohet i plotë dhe me cilësi, Manastirliu bëri këtë apel për prindërit.

“Një apel për të gjithë prindërit, mos i dërgoni fëmijët direkt në QSUT, por drejtohuni pranë qendrave shëndetësore afër vendbanimit. Dhe është mjeku juaj pediatër që e vlerëson nëse ka nevojë për trajtim në QSUT. Duhet të shmangim sa më shumë flukset në QSUT, sidomos në këtë periudhë”, tha Manastirliu.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303