fbpx

Moti i keq/ Xhaçka: Parashikimet janë shqetësuese, intensiteti i reshjeve mund të arrijë nivele të papërballueshme

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në një konferencë për shtyp mbi situatën në vend për shkak të motit të keq u shpreh se intensiteti i lartë i reshjeve mund të arrijë nivele të papërballueshme.

Në fjalën e saj, ministrja ka paralajmëruar se mund të ketë përmbytje në prefekturat Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier apo Gjirokastër. Megjithatë për t’i bërë pritë janë forcuar argjinaturat e disa prej lumenjëve që kanë rrezik të dalin nga shtrati, duke shtuar gjithashtu se të gjitha strukturat janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast emergjencash.

“Për këtë arsye, strukturat e Mbrojtjes Civile në nivel qendror dhe vendor, bashkitë dhe prefekturat, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit janë në gatishmëri dhe të mirëkoordinuara për të reaguar në kohë dhe me efikasitet. Jam shpresëplotë se, falë asaj ç’ka kemi bërë, nuk do të përsëriten më situatat e viteve të shkuara, veçanërisht në Shkodër, Fier, Vlorë e Lezhë. Megjithatë, marr shkas t’i bëj apel çdo qytetari, që në rast rreziku nga përmbytjet të njoftojnë strukturat e tyre vendore të emergjencave civile, për të ndërhyrë në kohë apo te telefonojnë nr e emergjencave 116”, u shpreh Xhaçka.