Mustafa tregon se për çfarë nuk bien dakord me Vetëvendosjen

Pas mbledhjes së kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovë, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, deklaroi se ekipi negociues i informoi për bisedimet që kanë zhvilluar me Vetëvendosjen.

“Ne u informuan nga ekipi lidhur me rrjedhën e dialogut, bisedave dhe negociatave që u zhvilluan me VV-në për harmonizimin e programeve, konsideroj se është arritur mjaft shumë në këtë pjesë, janë arritur pajtime të një niveli të kënaqshëm. Si do të funksionojë qeveria me sa ministri”, tha Mustafa, i cili shtoi se çështjet për të cilat nuk pajtohen janë të pakta.

“Çështjet që nuk pajtohemi janë shumë të pakta, do të vazhdojmë pas certifikimit të rezultateve do të jemi në nivelin e lartë, do të jem unë dhe nënkryetarët dhe një përfaqësues që ka qenë me grupin negociues”, tha ai.

“Në ndarjen e përgjegjësive duhet të hyjnë të gjitha pozitat që duhet të jenë aktuale në qeverisjen e ardhshme, duhet t’i nxjerrim në një marrëveshje të mirëkuptimit. Për pika nuk do të lëshohem konkretisht, janë disa çështje të ekonomisë që kanë të bëjnë me mjetet nga privatizimi dhe mjetet tjera, ka përafrim si do të trajtohen ato. Te çështjet sociale ka disa dallime që kanë të bëjnë kryesisht me konceptin tonë”-tha Mustafa i cili sqaroi se kush do të jetë kryeministër i vendit.

“Ne parimisht jemi shprehur para fillimit të zgjedhjeve që ne do ta pranojmë që kryeministrin ta ketë partia që del e para dhe ne do t’i përmbahemi këtë parimi, nëse i përmbahemi këtij parimi nuk do të thotë që është çështje e përfunduar, në aspektin e çështjeve tjera shtetërore. Për këtë nuk kemi folur, do të flasim në një takim që do ta kemi me liderin e VV-së. Do të bisedojmë do të merremi vesh do ta bëjmë publike para jush”, shtoi ai, derisa nuk foli për ndarje të ministrive.