Ndeshja Lituani-Shqipëri, publikohen formacionet zyrtare, vetëm 3 ndryshime

Shqiperia.jpg

Janë publikuar formacionet zyrtare të ndeshjes Lituani-Shqipëri. Kuqezinjtë e Edi Rejës përballen në Vilnius (sot, 18:00) përballë kombëtares vendase, sfidë e vlefshme për Nations League.

Trajneri italian ka bërë tre ndryshime krahasuar me sfidën e së dielës kundër Kazakistanit, teksa skema vijon të jetë ajo 3-5-2.

Ermir Lenjani kthehet pas shumë kohësh titullar, duke zëne vendin e Lorenc Trashit në krahun e majtë. Qazim Laçi në vend të Sherik Kallakut, me mesfushorin e Ajaccio që do të formojë treshen e mesfushës me Abrashin dhe Baren.

Ndryshime ka edhe në sulm. Armando Broja do të nisë takimin e dytë si titullar, teksa do të formojë dyshen e repartit ofensiv me Taulant Seferin (hera e parë që e nis si titullar me kuqezinjtë). Pankinë për Rey Manajn, i cili nuk ka treguar asgjë pozitive në takimet e fundit.

SHQIPËRIA/ Formacioni zyrtar (3-5-2): Berisha; Kumbulla, Gjimshiti, Dermaku; Lenjani, Abrashi, Bare, Laçi, Veseli; Broja, Seferi. Trajner: Edi Reja.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303