Në kërkim për prodhim të narkotikëve, prangoset 42-vjeçari në Durrës

Policia e Durrësit ka kapur ditën e sotme në flagrancë një person, i cili ishte i shpallur në kërkim që nga viti 2016.

Sipas njoftimit të policisë, në pranga është 42 vjeçari me inicialet Sh.K, banues në Durrës.

Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në vitin 2017 e kishte dënuar me 3 vjet e 17 ditë burg, për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi në vitin 2016, në aksin rrugor Fushë Dac- Kepi i Rodonit, pas kontrollit të ushtruar nga ana e shërbimeve të Policisë në mjetin e tij tip ‘Furgon’ u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 324 fidanë të dyshuara Canabis sativa.

Ndërkaq, materialet hetimore janë dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.