17.5 C
Tirana
E shtunë, 15 Qershor, 2024

TË FUNDIT

“Në përkujtim të një gjiganti”

spot_img

Sot përkujtojmë lindjen e të madhit Kadri Roshi, aktori i shquar shqiptar, “Artist i Popullit”, “Ezopi shqiptar”, apo “Patriarku i fjalës së kënduar shqipe” si e ka cilësuar poeti Dritëro Agolli.

Nga shitës biletash dhe sufler, nga rolet e vogla në teatrin partizan dhe ato të burgjeve fashiste ai pasi mbaroi shkollën e parë teatrore në vitin 1945 në Tiranë, më pas në Beograd dhe përfundoi me diplomimin shkëlqyeshëm për art skenik në Pragë, në vitet që pasuan, dominoi skenën dhe ekranin shqiptar për më shumë së gjysmë shekulli.

Në repertorin e tij përfshihen mbi 80 role të papërsëritshme në skenë mbi 30 role parësore në ekran. “Ezopi”, “Otello”, “Arturo Ui” dhe shumë figura të tjera që skaliti Kadri Roshi, do të mbeten shkollë për brezat e ardhshëm të aktorëve shqiptarë.

Jo vetëm aktor brilant, por edhe një njohës i shkëlqyer i historisë, politikës, gjeografisë dhe ekonomisë botërore. Konsideronte këto njohuri të domosdoshme në interpretimin e roleve të veta. Pasionant i duhanit dhe peshkimit.

Besonte se për të qenë i suksesshëm duhej shumë punë e se mjaftonte pak talent. Deri në frymën e fundit u nda nga jeta me dëshirën dhe ëndrrën për të jetuar me skenën.

“Të gjitha rolet që nuk i kam luajtur i kam pengje. Kështu e ka jeta e aktorit. “Jetoi me skenën dhe kinemanë dhe na solli një jetë të tërë me qindra role dhe personazhe duke na dhuruar Artin e bukur të Fjalës. Dhe mbeti i dashuruar me vendin e tij:

“Unë jam shqiptar. Jam aktor shqiptar nga koka tek këmbët, nga këmbët tek koka dhe për këtë krenohem”.

Mirënjohje dhe respekt për veprën e tij në teatër dhe kinematografi.

Jeta e Kadri Roshit

Lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës, i biri i Maksut dhe Sabrie Roshit, me prejardhje nga Libohova. E ëma i vdiq kur ishte 2 vjeç dhe më pas kur ishte 12 vjeç i vdiq edhe i ati. Përfundoi studimet e larta në Pragë në vitin 1951.

Ai, e filloi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qenë një ndër krijuesit e këtij teatri. Që nga ajo kohë dhe deri sot ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi, të cilat përbëjnë një jetë të madhe artistike, ku ndërthuren vështirësitë e një jete prej jetimi, çiraku, portieri kinemaje dhe deri tek aktori origjinal me portretin e njeriut të fisëm.

Në krah ka pasur gjatë gjithë kohës aktorët e brezit të tij Drita Pelingu, Violeta Manushi, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Marika Kallamata, etj.

Legjenda e skenës

Nga shumëkush është konsideruar si legjenda e skenës dhe ekranit shqiptar. Ai ka qenë një aktor brilant dhe me një talent të lindur.

Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit.

Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit është një kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai la figura të spikatura që nuk do të harrohen kurrë.

Karriera artistike

Vetëm 34 vjeç ai do të interpretonte në rolin e Lefter Dhosit tek filmi i parë shqiptar “Tana”. Ishte viti 1958, dhe ky film do të shënjonte rrugëtimin e kinemasë shqiptare. Filmi i bazuar në një novelë të Fatmir Gjatës, tregonte për Tanën një vajzë të zgjuar me ide të përparuara. Ajo dashuron Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër malor. Por kjo dashuri nuk është e lehtë, pasi ajo përballet me mentalitetin e vjetër të gjyshit të saj dhe xhelozinë e Lefterit.

Nën regjinë e Kristaq Dhamos në këtë film do të realizohej dhe puthja e parë në kinemanë shqiptare. Dy vjet më vonë në vitin 1970 Kadri Roshi do të interpretonte në filmin “I teti në bronx” nën regjinë e Viktor Gjikës, duke spikatur si aktor. “Malet me blerim mbuluar” do ta çojnë atë drejt rolit të Safa Hymerit. Nën regjinë e Dhimitër Anagnostit,filmi na çon në vitin 1943, për të treguar historinë e një grupi partizanësh në fund të luftës.

“Kur zbardhi një ditë” do ta sjellë Kadri Roshin në rolin e kryetarit të këshillit. Filmi me regji të Pirro Milkanit është sërish me tematikë nga lufta. Xhaj Ajli do jetë një tjetër personazh që Kadri Roshi do ta interpretojë tek filmi “Tokë e përgjakur”, prodhim i vitit 1976 .Me regji të Ibrahim Mucos, ngjarjet në film zhvillohen në tre kohë të ndryshme. Ai do të jetë Nazifi tek “Përballimi” më 1976. Nën regjinë e Viktor Gjikës, filmi trajton atmosferën pas luftës.

Pas përfundimit të luftës njerëzit e rinj që kanë marrë pushtetin fillojnë të përballohen me urinë. Sekretari i partisë së qytetit Martin Kreka niset nëpër fshatra dhe udhëheq fushatën për grumbullimin e drithit që shitet në tregun e zi. Ai ndihmohet nga drejtori i grumbullimit i cili ka bluar për bukë edhe drithin e farës…Në vitin 1976 ai do të interpretojë një nga rolet që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut, një rol emblematik i kinematografisë shqiptare. Regjisori Dhimitër Anagnosti do ti besojë atij rolin e kujdestarit, tek “Lulëkuqe mbi mure”.

Në qendër të filmit janë përpjekjet dhe ndihma që dhanë debatikasit dhe të rinjtë shqiptarë në luftë kundër italianëve që pushtuan vendin më 7 prill 1939. Po këtë vit ai do të interpretojë rolin e Marko Rovinës tek filmi “Fije që priten”. Një vit më vonë ai do të interpretojë në filmin “Zemra që nuk plaken” me regji të Esat Ibro dhe Esat Musliu. Në qendër të filmit është historia e Xha Ademiklut i cili ka dalë në pension pas 30 vitesh punë si shofer kamioni. Më 1977 Roshi do të interpretojë tek “Shembja e idhujve”.

Roli i plakut Mero tek “Njeriu me top” 1977 do të mbetet gjatë në kujtesë. Tashmë Kadri Roshi ishte një aktor me një influencë tek publiku. Duket sikur Dritëro Agolli e kishte krijuar plakun Mero duke pasur parasysh imazhin e Roshit. Roli i Parandilit tek Gjeneral Gramafoni, më 1978 do të ishte një tjetër sukses në karrierën e Kadri Roshit.”Liri a vdekje” do ta sjellë atë para publikut me rolin mësues Hysenit.

Në vitin 1979 do të jetë sërish në rolin e kryetarit të Këshillit tek filmi “Këshilltarët” nën regjinë e Xhezair Dafa, me skenar të Kujtim Gjonajt. Po këtë vit në filmin “Ballë për Ballë” ai do të interpretojë rolin e Belul Gjenomadhit. Nën regjinë e Kujtim Cashkut filmi është ekranizim i romanit “Dimri i madh” i Ismail Kadaresë. Roshi do të jetë xha tek filmi “Partizani i vogël Velo” dhe Jani tek “Dëshmorët e monumenteve” më 1980 nën regjinë e Fehmi Hoshafit.

Dy vjet më vonë ai do të intepretojë brigadier Rakipin tek “Era e ngrohtë e thellësive” me regji të Vladimir Prifit. Roli i Demostenit tek “Apasionata” do ta bënte personazhin e Roshit të paharruar. Nën regjinë e Kristaq Mitros, filmi i 1983-shit, do të gdhendte një karakter jo të lehtë si Demosteni, të cilin regjisori jo më kot ia besoi Roshit.

Tek filmi “Fejesa e Blertës” ai do të jetë Urani. Më 1985 ai do të interpretojë rolin e Groshit, tek “Dasma e shtyrë”. Më 1988 do të jetë sërish në rolin e kryetarit tek filmi “Pesha e kohës” nën regjinë e Rikard Ljarja. Në vitet 1990 ai do të interpretojë në filmin “Fletë të bardha” me regji të Mevlan Shanajt, për tu angazhuar në një sërë rolesh të tjera përgjatë këtyre viteve.

Roli i tij i fundit në kinema është tek “Kolonel Bunker” më 1998 nën regjinë e Kujtim Cashkut. Por një nga rolet që do të mbetet gjatë në kujtesë është padyshim ai i Ezopit, tek “Dhelpra dhe rrushtë” më 1991 nën regjinë e Dhimitër Pecanit. Fabulat e Ezopit dhe mençuria e tij pasqyroheshin shumë mirë në interpretimin dhe karakterin e Kadri Roshit.

Filmografia

 

(real-news.tv)

spot_img

Latest Posts

spot_img

Më të lexuarat