Negociatat me Shqipërinë/ Angela Merkel bën paralajmërimin e frikshëm

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka nënvizuar edhe një herë rrezikun e ndikimit të aktorëve të tjerë, përfshirë Rusinë në Ballkanin Perëndimor.

Nga Roma ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Merkel tha se BE duhet të bëjë më shumë për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Merkel: Jam mjaft e kënaqur që ndajmë së bashku me Conten të njëjtën strategji ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. E duhet të bëjmë më shumë në këtë drejtim,  për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.

Nëse nuk e bëjmë këtë aty do të hapet një boshllëk që do kërkohet të mbushet nga të tjerë. E kjo gjë nuk përputhet me interesat strategjike europiane. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë dhe vende të NATO-s dhe ne ndajmë në këtë drejtim një strategji Atlantike.

Në të njëjtën linjë ishte dhe homologu italian Giuseppe Conte, i cili tha se Italia dhe Gjermania duhet të punojnë së bashku për arritjen e objektivit të zgjerimit të BE-së me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Conte: Raporti dypalësh mes Italisë e Gjermanisë është modeluar në varësi të kontributit që qeveritë tona mund të japin së bashku në zhvillimin e Europës. Jemi në nisjen e legjislaturës Europiane e kjo forcon impenjimin e përbashkët në drejtimin e zgjidhjeve europiane në mënyrë që të bëjmë më efikas aksionin tonë në përballimin e sfidave europiane. Duhet të punojmë së bashku për arritjen e objektivit të zgjerimit të BE me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Një temë kjo mjaft e rëndesishme për ne që e përballëm se fundi pa zgjidhjen e duhur.