fbpx

Negociatat për reformën zgjedhore, flet edhe ambasadori Soreca

Edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, ka folur për mediat në përfundim të takimit të gjatë prej 9 orësh më palët politike për reformën zgjedhore.

Soreca tha se takimi me palët e Këshillit Politik  ka qenë konstruktiv dhe se kjo duhet të vazhdojë ditën e nesërme.

“Patëm një ditë shumë të mirë pune së bashku ku bashkëshoqëruam punën e anëtarëve të këshillit politik. Për BE është e rëndësishme që të mund të përmbushen kushtet dhe të nis procesi i anëtarësimit të vendit sa më shpejtë.

Kufijtë janë vendosur nga OSBE/ODIHR-in dhe këtë po kërkon dhe BE nga Shqipëria. Shumë shpejt Komisioni Evropian do të prezantojë kornizën negociuese dhe një arritje për reformën zgjedhore do ta bëjë më lehtë këtë punë.

Falenderoj palët për qasjen e tyre konstruktive dhe i ftoj që të vazhdojnë më të njëjtën qasje konstruktive dhe nesër. Të mos e shpërdorojmë vrulli që arritëm, sepse para së gjithash është në interes të shqiptarëve dhe të ardhmes së Shqipërisë në BE”, tha Soreca.