Nëna detyrohet të shesë vajzën e saj 6-vjeçare

Një thatësirë e jashtëzakonshme në Afganistan i ka detyruar disa familje që të shesin fëmijët e tyre për të ushqyer anëtarët tjerë të familjes.

CNN ka folur me familje të shumta në qytetin perëndimor të Heratit të cilët janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të thatësirës.

Kombet e Bashkuara thonë se thatësira më e gjatë ndonjëherë e ka bërë të detyrueshëm largimin e më shumë njerëzve nga shtëpitë e tyre sesa dhuna e përgjakshme që ka filluar para disa vitesh.

Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 275 mijë njerëz janë zhvendosur për shkak të thatësirës, 84 mijë prej të cilëve vetëm brenda qytetit Herat. Mungesa e shiut të bollshëm për katër vjet me radhë e ka shkatërruar bujqësinë e vendit, duke ndikuar edhe në zvogëlimin e prodhimit të opiumit. Kushtet ekstreme të motit kanë ngritur shqetësime për ndikimin e ndryshimeve klimatike në vendin ku dekadat e luftës e kanë shkatërruar ekonominë dhe shoqërinë pothuajse tërësisht.

Në një kamp refugjatësh jashtë Heratit, një grua tregon se burrin e ka humbur në luftë, e ka braktisur shtëpinë për shkak të thatësirës së madhe, dhe se tani është detyruar të shesë vajzën e saj 6-vjeçare për të ushqyer fëmijët e tjerë të saj.

“U largova nga fshati bashkë me tre fëmijët e mi për shkak të thatësirës së tmerrshme. Erdha këtu duke menduar se do të marr ndihmë, por nuk mora asgjë. Për ta shmangur vdekjen e fëmijëve nga uria, ia dhashë vajzën një burri për 3 mijë dollarë, por deri tani më ka dhënë vetëm 70. Nuk kisha para, as ushqim, e as shtyllë të familjes. Burri im është vrarë në luftë”, tha ajo.

Ajo thotë se vajza e saj nuk e di që është shitur nga nëna. “Si mund ta dijë? Ajo është fëmijë. Nuk kisha tjetër mundësi. Kush do ta shiste një copë zemre të saj pa qenë të detyruar?”, shtoi ajo.

Vajza nuk është fëmija i vetëm që shitet dhe blihet në Afganistan.

Lër një koment