fbpx

Nga “Dora e Zotit”, te shkëlqimi me Napolin, njihuni me rrugëtimin e lavdishëm të Maradonës

maradona-fiurhg.jpg

Një nga më të jashtëzakonshmit, më spektakolarët, legjenda e futbollit Diego Armando Maradona është ndarë nga jeta.

Maradona ndërroi jetë sot në moshën 60-vjeçare pas një arresti kardiak, i cili erdhi pas një operacioni të vështirë në tru. Të gjithë e njohin, por po ju rikujtojmë pak nga rrugëtimi i një kampioni si ai.

Arritja më e madhe në karrierë është padyshim triumfi në Kupën e Botës së vitit 1986 në Meksikë. Përveç kësaj ajo që kujtohet nga ai eveniment është edhe ai gol me dorë ndaj Anglisë në gjysmëfinale, që Maradona do e pranonte dhe do e quante “Dora e Zotit”, si një shpagim për të gjitha padrejtësitë që i ishin bërë popullit argjentinas nga britanikët.
Karriera nisi te Argentinos dhe nuk u desh shumë që një klub si Boca Juniors ta pikaste dhe ta blinte për 1.25 milionë euro. Aventura në klubin e zemrës së tij nuk zgjati dot më shumë se një vit sepse Evropa e thirri në apel.

Në vitin 1982 Barcelona e pikasi dhe e solli në Spanjë për 8 milionë euro, rekord në atë kohë. Në Spanjë Maradona shpërtheu, por zbuloi edhe anën e errët të tij me sherret dhe problemet me alkoolin dhe lëndët e ndaluara.

Në një ndeshje me Athletic Bilbao ylli i Argjentinës bëhet shkak i një sherri masiv dhe skandali dhe pas asaj ngjarje të bujshme, drejtuesit vendosin ta shesin. Një Superkupë, një La Liga dhe një  Kupë Mbreti në Spanjë dhe Napoli bëhet pronar i tij në 1984-ën.

Të kaltrit do të ishin habitati i duhur për të mbajtur një personalitet si Maradona. Do kishte marrëdhënie perfekte me tifozët, do ishte i përkëdheluri i drejtuesve dhe do dërgonte një ekip mesatar te titulli, diçka që s’e mendonte askush.

Dy tituj të Serie A, një Kupë UEFA dhe një Superkupë Italie në 7 vite te Napoli, deri kur të vinte ai dënim i rëndë pas vërtetimit të përdorimit të lëndëve të ndaluara. Më pas karriera e tij nuk kishte shkëlqimin e dikurshëm.

Në vitin 1990 u kthye dhe pretendoi Botërorin e dytë. Gjermani ishte sërish në finale, por këtë herë nuk funksionoi. Ai u bllokua tërësisht dhe ajo penallti e Bremen vendosi gjithçka.

Zhvilloi një aventurë me Sevillan e më pas u kthye në Argjentinë te Newell e Boca, ku mbylli karrierën e tij plot peripeci, por më shumë se të lavdishme. Maradona ishte me popullin dhe bashke me talentin e tij të madh, këto ishin dy arsyet pse ai ishte i madhërishëm

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303